Nga Eduard Zaloshnja
Të qenit gjallë është një ndërthurje e pafundme probabilitetesh. Në shkallë botërore, probabiliteti që dikush të vdesë nga rrufeja është 1 në një milion. Probabiliteti që dikush të vdesë nga rënia e avionit është 1 në dy milion. Nga tërmeti është 1 në pesë milion etj. etj. Probabilitetet luhaten sipas gjeografisë, nivelit të zhvillimit të shteteve të ndryshme, kulturave etj. etj.
Në lidhje me probabilitetet e gripit më të fundit që po përhapet në botë, COVID-19 ( i shkaktuar nga një lloj i ri i familjes së koronavirusëve), OBSH-ja sugjeron t’u referohemi statistikave zyrtare të Koresë së Jugut.
Sipas OBSH-së, për arsye politike, ekonomike apo kulturore, në shumicën dërrmuese të shteteve, nuk janë bërë testime masive të popullsisë, për të përcaktuar se sa banorë janë infektuar me koronavirusin e ri. Si rrjedhim, në qoftë se testohen vetëm rastet më të rënda ose rastet e përqendruara në rajone të caktuara gjeografike, nuk mund të matet dot ekspozimi real i të gjithë popullsisë ndaj virusit (eksopzimi përbën emërusin e thyesës së probabilitetit).
Kështu, në Korenë e Jugut, që ka bë testimin më ekstensiv të popullsisë, vdekshmëria nga COVID-19 është 7 në 1000, ndërkohë që vdekshëmria nga gripi i zakonshëm është 2 në 1000. Numri i vdekjeve është 80% i përqendruar në moshat mbi 65 vjeç.
Shkalla e infektimit është 138 në 1 milion banorë, ndërkohë që 3 ndër 5 të infektuar i përkasin një sekti fetar me 1 milion ndjekës, të cilët falen duke ndëjtur të përqafuar me njëri-tjetrin. (Drejtuesit e sektit po procedohen penalisht nga prokuroria koreane, per shkaktim të vdekjeve në masë, pa paramendim).
Duke i ndërthurur shifrat e mësipërme të Koresë së Jugut, rezulton se probabiliteti i vdekjes nga COVID-19 për një banor të zakonshëm është 1 në një milion.
Aq sa ç’është probabiliteti që dikush të vdesë nga rrufeja…