Basha: Rama përgjegjësi i vetëm, prej 3 vjetësh bllokon hapjen e negociatave

Më të fundit


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e Kurbinit, për t’i ftuar ato në protestën kombëtare të 2 qershorit. Në nisje të fjalës së tij, lideri i opozitës ka falënderuar qytetarët kurbinas për pritjen madhështore duke u shprehur se, “Keni qenë dhe jeni tmerri i tiranisë”. Gjithashtu Basha tha se nuk do të lejojë të realizohet kontrata koncesionare për rrugën Milot-Balldren.

“Vetëm pak kilometra prej këtej po planifikohet një hajdutëri që ia tejkalon në përmasa e pacipësi edhe hajnisë kriminale tek Unaza e Re. Milot –Balldren, 260 mln euro për 17 km. Hajdutëri të tillë nuk ka njohur e dëgjuar Europa. Hajdutëri të tillë shohin vetëm vendet ku populli ka mbaruar, e ka ulur kokën dhe e ka pranuar të keqen. Por ne nuk jemi ai lloj vendi. Kjo kontratë do varroset. E dinë fare mirë kundërshtarët, e di edhe Rama që mundohet ta kthejë tmerrin dhe panikun që e ka zënë në një shpoti që nuk e ha më asnjë. Nga Kurbini do i vijë fundi pushtetit kriminal dhe regjimit më të korruptuar që ka njohur Shqipëria”. – tha Basha

“Ka vetëm një përgjegjës për bllokimin e negociatave, Edi Rama, I cili po bllokon Evropën, sepse mbron interesat e oligarkisë” ka thënë Basha në Kurbin, duke theksuar edhe një herë se negociatat nuk do të hapen në qershor.

“Ja ku jemi sot, me një njeri që duhet të ishte larguar me qindra herë për të zezat e tij dhe nuk largohet. Vetëm për karrigen e tij, për pushtetin e tij, refuzon t’i hapë Shqipërisë rrugën e zgjidhjes politike, refuzon ti hapë Shqipërisë rrugën e integrimit evropian. Kush ka sy në ballë e ka parë, kush ka veshë e mend e ka dëgjuar, ka një njeri që e mban peng hapjen e negociatave, ka vetëm një përgjegjës, që e shtyn tash 3 vjet hapjen e rrugës tonë. Për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Dhe ky është njeriu që sa herë ka pasur mundësi të vërë interesat e shqiptarëve mbi pasurinë dhe pushtetin e tij, sa herë ka pasur mundësi të zgjedhë shqiptarët dhe jo oligarkët ka vendosur kundër shqiptarëve. Ndaj asgjë nuk na e heq fokusin e kësaj beteje. Asnjë ndryshim nuk do të ketë për krizën ekonomike dhe gjendjen e shqiptarëve pa zgjidhur problemin e problemeve, pa e zgjidhur varkën e qeverisë nga huri I oligarkisë, pa e lidhur fatin e parlamentit dhe kryeministrit të ardhshëm drejtpërdrejt me qytetarët shqiptarë. Kjo është beteja, zgjedhje të lira e të ndershme largimi një orë e më parë I Edi Ramës, garantimi I standardeve zgjedhore, në mënyrë që shqiptarët të jenë ata që do të vendosin. ” shprehet Basha



Skip to toolbar