A do nisin në Kosovë konsultat e Metës?

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta do të zhvillojë të mërkurën një vizitë në Kosovë me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në luftën me Serbinë.

Burime informacioni konfirmojnë se kreu i shtetit fillimisht e anuloi këtë vizitë të programuar prej kohësh për shkak të krizës politike në Shqipëri, por fill pas konferencës së të martës ai vendosi ta realizojë vizitën në fjalë. Madje mësohet se është nisur mëngjesin e së mërkurës drejt Prishtinës.

Mësohet se edhe Kryeministri Edi Rama do jetë ditën e sotme në orën 11:00 në Kosovë në kuadër të festimeve për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Në Prishtinë do të zhvillohen ceremoni të ndryshme përkujtimore ku pritet të marrin pjesë edhe presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Rama.

Gjatë dy ditëve të fundit, presidenti Meta thelloi më tej krizën politike në Shqipëri, përmes vendimit të tij për të shtyrë në një afat të papërcaktuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Vendim ky që u përshëndet nga opozita por u kundërshtua nga maxhoranca e cila e konsideron antikushtetues dhe jashtë kompetencave të presidentit. Për këtë arsye PS ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit ndërkohë që në seancën e së enjtes do të zhvillohet një mocion me debat dhe në përfundim pritet të miratohet projektrezoluta e PS për të shkarkuar presidentin.

Nuk dihet ende nëse Rama dhe Meta do shfrytëzojnw rastin për të dialoguar me njëri tjetrin në Kosovë.



Skip to toolbar