Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt përmes të cilët e pyet për një takim të zhvilluar mes tij dhe truprojes së Bashës ditën e premte në datën 14 qershor.
Në këtë takim ministri Lleshaj i ka thënë truprojes së Bashës se “bazuar në informacione të tërthorta, kreut të PD-së i kanoset rrezik për sigurinë”.
Në letrën drejtuar ministrit të brendshëm, Bardhi shkruan se si ministër i brendshëm e ka detyrim ligjor që informacionet e tërthorta mbi sigurinë e jetës së kreut të opozitës, t’i kalojë në rrugë institucionale.
Ai akuzon ministrin se përmes këtij informacioni dhënë truprojës së Bashës, nuk ka patur qëllim tjetër veçse të shantazhojë kreun e PD-së.
Bardhi i kërkon Lleshajt informacion zyrtar në lidhje me sigurinë e kreut të PD-së, ndryshe shkruan ai, informacionin e tij do ta konsiderojë shantazh të pastër politik.