Dy standardet e PD me Prokurorinë: Heto përgjimet e BILD, por jo sulmet ndaj KZAZ

AKTUALITET


Përfaqësuesit e PD-së vazhdojnë të mbajnë dy standarde karshi prokurorisë. Nga njëra anë i kërkojnë të hetojë përgjimet e BILD dhe të dënojë sipas tyre vjedhësit e votave (pra socialistët) dhe nga ana tjetër janë kundër Arta Markut për dënimin e akteve të dhunës ndaj KZAZ-ve.

Sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi ka reaguar sot dhe ka sulmuar Arta Markun pas urdhrit që të gjithë prokurorët të jenë të gatishmëri dhe të regjistrojnë çdo akt dhunë dhe krim elektoral që mund të ndodhë gjatë kësaj jave.


“Përfaqësuesja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme Arta Marku i ka mbi tavolinë dy dosje të krimeve mostruoze zgjedhore, nr. 184/2016 dhe nr. 339/2017. Po humb kohën kot me udhëzime e shkresa pa vlerë! Boll pengove hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të hajdutëve të zgjedhjeve, të kapur me përgjime të ligjshme të prokurorisë për krime të rënda.

Krime zgjedhore të rënda janë blerja e votave, kanosja e votuesve, presioni mbi administratën apo përdorimi i administratës për zgjedhje. Këto krime duhen ndëshkuar, pavarësisht nëse janë kryer nga Ulsiu, Damiani apo Vangjushi. Pa u ndëshkuar hajdutët e zgjedhjeve, nuk mund të ketë zgjedhje të tjera në Shqipëri. Boll më me lojra dhe propagandë. Kohë për drejtësi është tani!”, shkruan Bardhi.

Më herët prokurorja e përgjithshme shpërndau një urdhër drejtuar prokurorëve në rrethe dhe policisë gjyqësore që të qëndrojnë në gatishmëri dhe të mbledhin prova për çdo akt dhune ndaj zgjedhjeve si dhe të nisin procedimin penal ndaj kujtdo që pengon procesin zgjedhor.




Skip to toolbar