Administrata e presidentit Trump po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara për qytetarët e 41 vendeve sipas disa burimeve të cilët janë në dijeni të kësaj çështje raportojnë mediat ndërkombëtare. Në plan listohen gjithsej 41 vende të ndara në tre grupe të veçanta. Grupi i parë prej 10 vendeve, duke përfshirë Afganistanin, Iranin, Sirinë, Kubën dhe Korenë e Veriut ndër të tjera, ku parashikohet të vendoset për një pezullim të plotë të vizave. Në grupin e dytë, pesë vende — Eritrea, Haiti, Laosi, Mianmari dhe Sudani i Jugut do të përballeshin me pezullime të pjesshme që do të ndikonin në vizat turistike dhe studentore si dhe vizat e tjera imigruese, me disa përjashtime.
Në grupin e tretë, gjithsej 26 vende që përfshin Bjellorusinë, Pakistanin dhe Turkmenistanin ndër të tjera do të konsideroheshin për një pezullim të pjesshëm të lëshimit të vizave të SHBA nëse qeveritë e tyre “nuk bëjnë përpjekje për të adresuar mangësitë brenda 60 ditëve”, thuhet në memorandum. Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, paralajmëroi se mund të ketë ndryshime në listë dhe se ajo duhej të miratohej nga administrata, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. Gazeta Neë York Times raportoi së pari për listën e vendeve. Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Donald Trump kishte vendosur një ndalim udhëtimi për shtatë vende islamike, i cili ishte mbështetur nga Gjykata e Lartë. Më 20 janar, Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër ekzekutiv që bën thirrje për verifikim më të rreptë të sigurisë për shtetasit e huaj që kërkojnë të hyjnë në SHBA, me qëllim identifikimin e kërcënimeve të mundshme të sigurisë kombëtare.