Agron Duka: S’ka zgjedhje më 13 tetor, por Meta s’do dekretojë datë tjetër

AKTUALITET


Aleati i Partisë Demokratike, Agron Duka ka hedhur poshtë çdo mundësi që në 13 Tetor të zhvillohen zgjedhje të reja vendore. Sipas Dukës janë tejkaluar të gjitha afatet që të zhvillohen zgjedhje në këtë datë. Ai ka komentuar edhe sitiatën e krijuar në Shkodër pas dorëheqjes së kryebashkiakut socialist Valdrin Pjetrin, ndërsa thotë se Meta nuk do të rrëzojë veten dhe nuk do të nxjerrë dekret tjetër përveç 13 tetorit.

Duka e shikon situatën politike të komplikuar dhe apelon për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

 “Ne në respekt të dekretit të Presidentit, disa nga partitë opozitare u regjistruan për zgjedhjet e 13 Tetorit. Ju thoni sa shanse ka? Zero shanse ka që të bëhen zgjedhje. Pyetja që bëhet është pse disa nga partitë u regjistruan dhe parti të tjera jo? Mendoj që ne thjesht shprehëm respektin për dekretin e Presidentit.

Situata që po kalojmë është e pakuptimtë. Ju bëni pyetje se çfarë do të bëjmë me Shkodrën. Nuk ka matematicien që ta gjejë se ça do bëhet. Mazhoranca thotë njoh 30 Qershorin, opozita thotë njoh 13 Tetorin. 13 Tetori i kaloi të gjitha afatet kushtetuese. Nuk bëhet më që të ribëhen zgjedhjet në Shkodër nëse ky zotëria penalizohet me ligjin e dekriminalizimit. Duhet dekreti i Presidentit. Presidenti ka dhënë dekretin me 13 dhe nuk jep datë tjetër. Ça do bëhet? E zgjidh Gjykata Kushtetuese. Gjykatë Kushtetuese nuk ka. Gjithë kjo situatë e pakuptimtë kërkon t’i thërrasim arsyes që të gjithë”, tha Duka për ABC news.

Zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje. Por Duka është kategorik kur shprehet se pakte si ai i 2017-s mes Ramës e Bashës, politika shqiptare nuk duhet t’i përsërisë më.

“Larg qoftë. Vetëm ajo jo. E 2017-s, ajo tregoi që nuk zgjidhi asgjë. Përkundrazi e ricikloi krizën. Nëse bëhen marrëveshje të tilla për të ricikluar kriza në leverdi të individëve të veçantë kjo është në dëm të Shqipërisë. Duhen marrëveshje që të kenë një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Duka.

Kur pushimeve të gushtit po i vjen fundi, politikës i duhet që me nisjen e Shtatorit të marrë vendime të forta. Ndërkombëtarët presin  që zgjidhja të vijë nga institucionet shqiptare, ndërkohë që politikanët tanë i kanë var shpresat tek ndërkombëtarët. Pritet që së shpejti Tiranën zyrtare ta vizitojnë disa delegacione ndërkombëtare që mund të ndikojnë në zgjidhjen e krizës.



Skip to toolbar