Aleatët e Bashës në fushatë, Duka: Vëmendje për fshatin

AKTUALITET


Kreu i Partisë Agrare Ambientalise, Agron Duka, ka nisur takimet në terren me simpatizantët e partisë së tij. Duka është ndalur në fshatin Vihsaj, ku nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, njofton se ka zhvilluar një takim me strukturat e PAA-së. Pavarësisht se më herët ka shprehur qëndrimet kundër Bashës dhe PD, duke kërkuar dialog dhe bisedime me kryeministrin Edi Rama, Duka, nëpërmjet njoftimit në Facebook, konfirmon se duhet qeveri tranzitore, me qëllim ‘përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme’, që sipas Dukës, është garancia që ‘kriza të mos përsëritet më’.

“Nga Vishaj, me strukturat e PAA-së, po përgatitemi për fillimin e një stine të re të politikës shqiptare, në të cilën çelësat e zgjidhjes së krizës nuk i ka më mazhoranca, por opozita. Vullneti për të mos pranuar asnjë marrëveshje, veç asaj me të cilën do të ngrihet një qeveri tranzitore, dhe do të përgatiten kushtet e nevojshme që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, është garancia që kriza të tilla nuk do të përsëriten më. Duhet të shembim njëherë e mirë simbiozën e politikës me krimin, tjetërsimin e zgjedhjeve dhe mungesën e përgjegjshmërisë politike që buron nga marrja dhe mbajtja e pushtetit në forma jo legjitime”, shkruan Duka.


Më tej, duke u shprehur se duhet shembur simbioza e ‘politikës me krimin’, Duka indirekt bën dhe fushatë elektorale. Sipas tij, pas pastrimit të politikës nga krimi, fundi i debatit për këtë temë, do të pasohet nga një vëmendje më e madhe për zonat rurale. “Nëse beteja për pastrimin e politikës ka dominuar në debatin publik, fundi i saj do të përkojë me një vëmendje të domosdoshme për zonat rurale. Nevojat e fermerëve, nga subvencionet e drejtpërdrejta dhe çmimi i naftës deri tek infrastruktura dhe sistemet e kullimit dhe vaditjes, përbëjnë shqetësime konkrete që presin zgjidhje. Zgjidhje që PAA është gati ti ofrojë në zgjedhjet e ardhshme”, shkruan Agron Duka.




Skip to toolbar