Kajmaku s’dorëhiqet: Të flasin autoritetet, PD ‘limon i shtrydhur’

AKTUALITET


Pas akuzave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, që publikoi një vendim të prokurorisë së Janinës për dënimin e Agim Kajmakut, kryebashkiaku i Vorës ka bërë një reagim publik. Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Kajmaku ka siguruar qytetarët e Vorës, se u qëndron pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit.

“Që pas marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë së Vorës, ata s’u përballen nga frika e humbjes së padiskutueshme, më janë vërsulur me tërbim! Por unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm”, thotë Kajmaku.

Më tej ai sqaron se nuk është marrë kurrë me trafiq, duke u shprehur se emrin e ka ndryshuar si të gjithë shqiptarët në Greqi, për të përfituar lehtësira në këtë shtet, gjatë kohës që ka jetuar atje. Sipas Kajmakut, këtë gjë e kanë bërë shumë shqiptarë, ndërsa e cilëson Partinë Demokratike si ‘limon të shtrydhur’, që s`i duhet më asnjeriu.

“Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja. Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeri”, është shprehur  Kajamku.

Në fund të reagimit të tij, Agim Kajmaku shkruan se janë autoritetet ato që do të thonë fjalën e tyre, ndërsa siguron qytetarët e Vorës, se sipas tij, do të jetë në çdo moment në krye të detyrës. “Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim.  Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për t’a vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Kajmaku.



Skip to toolbar