Alberto Zacheroni, trajner i Shqipërisë?

Më të fundit


Duka shkon në Itali për të bindur ish-trajnerin e Milanit

Përzgjedhja e trajnerit të ri të ekipit kombëtar është një mision i vështirë dhe shumë i rëndësishëm njëkohësisht. Pas dështimit me Christian Panuccin, Armand Duka e ka të qartë se tashmë i duhet jo vetëm një emër i madh i botës së futbollit, por njëkohësisht një njeri që të marrë përsipër drejtimin e një anije të braktisur në mes të detit.

Edi Reja ishte emri i parë që u lakua për postin e trajnerit të Shqipërisë, pasi ish-tekniku i disa skuadrave të njohura në Itali, ishte mbrëmjen e 22 marsit në Shkodër, ku ndoqi ndeshjen mes Shqipërisë dhe Turqisë.


Pas ndeshjes, që kombëtarja jonë e humbi me rezultatin 0-2, Reja dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kanë pasur një takim së bashku në ambientet e stadiumit, i cili ka zgjatur për më shumë se dy orë.

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur zhvillime të reja rreth negociatave, ndërkohë që emra të tjerë kanë dalë në skenë. I fundit në këtë listë është ai i Alberto Zacheronit, një emër i njohur në futbollin italian, pasi ka drejtuar më herët dhe skuadrën e Milanit.

Sipas faqes në Facebook të “Proçesit Sportiv”, Armand Duka ndodhet aktualisht në Bolonja për të diskutuar një marrëveshje të mundshme me Zacheronin. Po sipas këtij njoftimi, nëse gjithçka mbyllet me sukses, trajneri italian mund të firmosë një kontratë 2 vjeçare (1+1) për të drejtuar ekipin tonë kombëtar.




Skip to toolbar