Albi Xhunga: Një vështrim drejt atdheut

Më të fundit


Në Shqipëri qeveria vazhdon vaksinimin e njerëzve, opozita vazhdon të premtojë Europën, shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, vazhdon dekorimin e popullsisë, ndërsa Ambasada Amerikane vazhdon të investohet vetëm tek reforma në drejtësi, duke mbajtur një distancë higjenike me fushatën.

Në më pak se dy javë, shqiptarët me të drejtë vote dhe ata që kanë mundësi fizike të votojnë, do të zgjedhin forcën/forcat politike që do të drejtojnë vendin për katër vitet e ardhshme. Ata që jetojnë jashtë kufijve të Republikës (grup në të cilin kam nderin të bëj pjesë) nuk do ta kenë, së paku edhe për këto zgjedhje, këtë privilegj. Kushtetuta na e njeh ligjërisht të drejtën e votës, por politika nuk deshi të na e mundësonte fizikisht. Normale. Politika shqiptare nuk ka asnjë lloj kontrolli dhe asnjë lloj forme presioni mbi shqiptarët që jetojnë jashtë, ndaj vota e tyre tremb. Tremb sepse është votë e lirë, e pakontrolluar, e pashantazhueshme.


Le të imagjinojmë për një çast se sa vota do të merrte Partia Socialiste në qoftë se nuk do të kishte në dorë të gjithë pushtetin qendror dhe atë lokal. Le të imagjinojmë për një çast se sa vota do të merrte Partia Demokratike sikur ndjekësit e saj ta votonin vetëm për idetë brilante të Lulëzim Bashës, premtimit europian dhe jo sepse qindramijëra prej tyre shpresojnë që me fitoren e saj të kapin një vend pune, që nga pastruesi i thjeshtë e deri në drejtor drejtorie. Le të imagjinojmë për një çast se sa vota do të merrte partia e familjes presidenciale, nëse në vend të kurseve që i ofrojnë popullsisë se si të plotësojnë në rregull fletën e votimit, (shërbim për të cilin jo vetëm që nuk kërkojnë asgjë, por paguajnë ata të shkretë që duan të ‘’mësojnë’’) të votonin për idetë progresiste të shkëlqesisë së saj, zonjës së parë të Republikës (megjithëse ky titull plotësisht i merituar nuk duket aq i denjë sa ajo ta përfillë), apo nga frymëzimi i vargjeve të Migjenit të recituara mjeshtërisht prej saj ‘’Ngrehuni dhe bjerini, korrini dhe shtypini’’. Tani nëse janë vargje të Migjenit apo të Nolit, pak rëndësi ka. Luan Rama aty është në të tilla raste për ta ndihmuar. E rëndësishme është që zonja Kryemadhi mendon gjithë kohën për të varfërit e këtij vendi, qoftë nga pallati që zotëron në Unazën e Re, qoftë nga ndonjëra prej 11 banjove të vilës në Gjirin e Lalëzit. Ishte me taksën e sheshtë, u bë me taksën progresive dhe tani është sërish me taksën e sheshtë (për të varfërit).

Në fakt aty ku realisht do të shohim se sa do të votohen idetë do të jetë në lëvizjet dhe partitë e reja. Natyrisht që kjo nuk do të ndodhë në partitë që kanë dalë nga Partia Demokratike, pasi kryearët e tyre kanë arritur të krijojnë parti nga sqetulla e PD-së, por fatkeqësisht për vete nuk kanë arritur të dalin nga sqetulla e Sali Berishës. Për zonjën Jozefina Topalli dhe zotin Astrit Patozi, problemi është Lulëzim Basha që erdhi nga hiçi dhe uzurpoi PD-në. Asnë fjalë për katapultimin e tij aty nga doktori. Asnjë fjalë për dhënien e partisë me koncesion nga ai që lëviz fijet në prapaskenë dhe që mund të kandidojë ku të dojë pavarësisht komisioneve të partisë. Shumë mace duhet të jenë therrur në zyrat e PD-së, siç bënin dhëndurët dikur natën e parë të martesës për t’i treguar nuses së re se kush është bosi. 

Ne do të shohim votën e ideve kryesisht në dy forca të reja politike, Nisma Thurrje dhe Lëvizja Vetëvendosje, dega Shqipëri (kupto: Shqipëria është një tip dege e Kosovës dhe e liderit të saj suprem). 

Nisma Thurje ka pasur mbulim mediatik më shumë se çdo forcë e shfaqur rishtazi në politikë në këto tre dekada. Disa përfaqësues të saj, të rinj simpatikë e elokuentë kanë qenë të ftuar të rregullt në emisionet kryesore politike në prime time. Problemi i tyre i vetëm është se kanë pasur artikulim kryesisht populist dhe pak politik. Kjo lëvizje të kujton Pesë Yjet e Beppe Grillo-s, e cila dinte mirë ta vinte gishtin në plagë për sa i përket problemeve të shoqërisë, denoncimeve të abuzimeve, etj, por kur erdhi në pushtet nuk dinte çfarë të bënte me të. Nisma Thurje ka deklaruar, me jo pak naivitet, se ka një program legjislativ, por jo një program qeverisës. Se sa populist dhe jo serioz është programi i tyre legjislativ, mund të shihet në disa klipe që kanë publikuar. Por problemi i tyre më i madh është se deklarohen, me një naivitet mbresëlënës ose me një mungesë të theksuar sinqeriteti, se ata nuk do t’i bashkohen asnjërës nga forcat e mëdha. Kjo krijon së paku dy probleme. Problemi i parë është se ata i thonë elektoratit se, duke na votuar ne ti e ke hedhur votën në lumë. Problemi i dytë është se, duke qenë të vetëm, programi i tyre legjislativ nuk vlen as sa letra në të cilën është shkruar, pasi ligjet kanë nevojë të miratohen dhe që të miratohen duhen vota. Nëse do të ishin treguar më të zgjuar dhe do të kishin nxjerrë disa pika dhe do të deklaronin se do t’i bashkoheshin asaj force që i pranonte këto pika të panegociueshme, do të kishin dalë shumë më mirë dhe tentativa e tyre do të kishte sens. Por tani është pak vonë për këtë. 

Lëvizja Vetëvendosje, dega Shqipëri, do të kandidojë në këto zgjedhje me tre kandidatë. Fushatën kanë nderin t’ua bëjë kryeministri i Kosovës dora vetë. Megjithëse në pamje të parë kjo tentativë me vetëm tre kandidatë duket jo serioze dhe me fare pak pretendime, në fakt një fitore eventuale e këtyre kandidatëve do të mund të plotësonte mozaikun e 71 mandateve në variantin e një rezultati të ngushtë. Pra tentativa është vërtet ambicioze. Në rast suksesi, lideri i Vetëvendosjes, sot kryeministër i sapozgjedhur i Kosovës do të kishte rastin të rrëzonte Edi Ramën nga pushteti dhe të mburrej se ai ishte përcaktues në fitoren e opozitës. Kjo do të ishte një triumf i madh për Albin Kurtin. Nesër, nëse drejtësia e re do të spastrojë njëfarësoj skenën politike, forca vasale e tij në Shqipëri mund të tentojë të bëjë të sajat sa më shumë nga votat që mund të mbeten rrugëve. Ky skenar prishet vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë. Nëse Bojken Abazi do të kishte së paku gjysmën e votave që duhen për një mandat në Tiranë, nuk do të kishte nevojë t’i bashkohej çdo proteste të mundshme në boulevard, por do të kishte organizuar së paku një protestë të tijën.  

Gjithsesi kemi të bëjmë me zgjedhje dhe gjithkush ka të drejtë të provojë fatin e tij. Politika edhe këtë herë nuk deshi t’ju ofrojë shqiptarëve lista të hapura. E megjithatë hapja përgjysmë e listave do t’i trubullojë pak ujërat. Në Kuvendin e ardhshëm do të kemi deputetë me një grusht vota dhe jashtë tij do të kemi kandidatë që kanë marrë mijëra vota, por që nuk kanë mundur të thyejnë herësin e partisë. Siç do të kemi edhe superdeputetë, të cilët me dhjetëramijëra votat e sovranit do të kenë mundësi t’u bëjnë karshillëk kryetarëve. E ardhmja është gjithmonë interesante.

Qeveria vazhdon vaksinimin e njerëzve, opozita vazhdon të premtojë Europën, shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, vazhdon dekorimin e popullsisë, ndërsa Ambasada Amerikane vazhdon të investohet vetëm tek reforma në drejtësi, duke mbajtur një distancë higjenike me fushatën.




Skip to toolbar