Albi Xhunga: Presidenti ka të drejtë

Më të fundit


Shkëlqesia e tij, presidenti i republikës, bëri deklaratat shokuese të rradhës, por që realisht nuk shokojnë më askënd. Ka pak rëndësi nëse këto deklarata kreu i shtetit i bën sepse është shumë trim dhe nuk do të dijë për askënd, apo është i panikuar dhe nuk di ç’thotë e ç’bën. 

Qëndrimet e tij kundra reformës në drejtësi dhe kundra garantëve të saj janë të vendosura dhe konseguente. Ai nuk bën lojën e dy liderëve, njëri formal e njëri real të Partisë Demokratike, të cilët si strategji paraelektorale kanë vendosur të luajnë policin e mirë, me Bashën që përbetohet se maxhoranca e ardhshme (nëse PD fiton) do t’i mbajë larg duart nga reforma në drejtësi dhe me Berishën që nuk lë rast pa e sulmuar. Në këtë pikë Ilir Meta është më i drejtpërdrejtë dhe duhet thënë, më i ndershëm. Ai sulmon reformën, pasi e sheh atë si rrezik real për të, për pasurinë e familjes së tij dhe për forcën politike që kjo familje ka në zotërim. 


Edhe për qëndrimet e papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës presidenti Meta ka të drejtë. Ai i ka hyrë fushatës elektorale më fort se çdo zë opozitar deri më tani. Kjo për Ilir Metën është një luftë ekzistence. I bindur se nëse opozita vazhdon të jetë opozitë edhe pas 25 prillit reforma në drejtësi nuk ndalohet më, ai e shikon këtë si betejën e fundit. Natyrisht që do të jetë e vështirë edhe për amerikanët të vazhdojnë të garantojnë një reformë, duke pasur përballë një maxhorance të vendosur kundra saj. Sigurisht që ata as nuk do të tërhiqen e as nuk do të dështojnë, por skenarët ku objektivat kryesorë të kësaj reforme drejtojnë shtetin janë shumë më të komplikuar. Për Iir Metën kjo është luftë dhe në luftë të gjitha goditjet lejohen. Duke e ditur se nëse humbet kjo do të jetë beteja e tij e fundit, nuk ka kushtetutë që ta ndalojë për të përdorur çdo mjet në arritjen e qëllimit final. Maxhoranca socialiste është e fundit që duhet të ankohet për sjelljet dhe qëndrimet e presidentit. Kuvendi nisi procedurat për shkarkimin e tij dhe këto procedura u lanë përgjysmë. Nëse ata u nisën ta shkarkonin për shkelje të Kushtetutës dhe, për arësye jo fort të kuptueshme, e lanë këtë punë rrugës, nuk kanë pse sot të presin që presidenti Meta të sillet si presidenti gjerman që pakkush ia di emrin. 

 Kur ish presidenti francez, Nikola Sarkozi, i bashkohet dhjetra politikanëve të nivelit të lartë të dënuar në vende të ndryshme të Europës, për krime apo shkelje që janë ku e ku me ato për të cilat akuzohen politikanët e lartë shqiptarë përfshirë Ilir Metën, ai nuk ka se si të ndihet mirë. Sarkozi u dënua sepse kishte tentuar të korruptonte një magjistrat për të marrë informacione për një tjetër çështje të tijën. Korrupsioni mbeti në tentativë, pasi as Sarkozi nuk i mori ato informacione dhe as magjistrati nuk e mori promovimin e premtuar. Megjithatë ai bëhet i dyti president francez i dënuar nga gjykata. Zhak Shirak ishte dënuar më parë për dy-tre punësime fiktive kur ishte kryebashkiak i Parisit. Helmut Kol ësht dënuar për të njëjtën akuzë. Duhet theksuar se këta nuk i bënin këto punësime fiktive për t’u pasuruar, por për të ndihmuar partitë respektive. Ish kryeministri francez dhe kandidati favorit i zgjedhjeve të fundit presidenciale, Fransua Fillon, u dërorhoq nga fushata sepse kishte pranuar dy kostume dhuratë dhe sepse dyshohej se kishte punësuar fiktivisht gruan e tij kur ishte deputet. Berluskoni në Itali u dënua. Lista është vërtet e gjatë. Mirëpo kur fenomeni fillon e afrohet gjeografikisht, si në rastet e dënimit të Ivo Sanader në Kroaci e arratisjes së Nikola Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, atëherë politikanë si Ilir Meta kanë arësye të shqetësohen. Në vendin më të varfër e më të korruptuar të Europës asnjë politikan i nivelit të lartë nuk është dënuar deri më sot megjithëse akuzat ndaj tyre janë ulëritëse

Pra shkëlqesia e tij është në të drejtën e tij të përpiqet të destabilizojë vendin me dekrete për shtyrje zgjedhjesh, të sulmojë miqtë më të shtrenjtë të këtij vendi, të shkelë kushtetutën kur dhe si të dojë, si dhe të kërcënojë se do të presë duar si kalifët e Bagdadit. Ai e di se më shumë se burgosja dhe sekuestrimi i pasurisë nuk kanë ç’i bëjnë, ndaj po bën betejën e tij të fundit. Ndoshta do të kishte vepruar ndryshe po të kishte lexuar Servantesin.




Skip to toolbar