Aleatët e Partisë Demokratike kanë bërë thirrje që qytetarët të bojkotojnë zgjedhjet duke mos pranuar farsën që Rama ka vendosur të mbajë më 30 qershor. Zgjedhjet monopartiake të “Rilindjes” rrezikojnë pluralizmin politik dhe janë në kundërshtim me ligjin dhe dekretin e presidentit Meta thuhet në deklaratën e aleatëve të Bashës.
Duke njohur 30 qershorin, aleatët kanë kërkuar që Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim për të mbrojtur demokracinë kur ajo është në rrezik. Një urdhër ky i porositur edhe nga Basha më herët që qytetarët të ndjekin modelin e Shkodrës dhe të bëjnë qëndresa më 30 qershor. Ky qëndrim i Bashës vjen të paktën në retorikë dhe shkresa, pasi vetë dita e zgjedhjeve do të jetë e qetë, ashtu si ka thënë më herët edhe realstory.al
“Vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që kërcënon një arritje të shenjtë për çdo popull: Pluralizmin politik. Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake.”- thuhet në deklaratë.
Aleatët e Bashës bën thirrje për qëndresë qytetare si e vetmja alternativë për të shmangur zgjedhjet farsë të 30 qershorit. “Grupimi i Qendrës së Djathtë, në unison me opozitën e bashkuar, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bëhen pjesë e procesit farsë të 30 Qershorit dhe të refuzojnë me neveri votime antikushtetuese dhe antidemokratike. Ne inkurajojmë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim, për të bërë, as më shumë dhe as më pak sesa atë që bëjnë të gjithë popujt liridashës, nga të cilët ne frymëzohemi kur demokracia është në rrezik”.
Në sondazhin e publikuar mbrëmjen e ditës së hënë, të zhvilluar nga GPF Inspiring Research, rezultoi se pavarësisht dhunës dhe retorikës kërcënuese që opozita ka përdorur për të bllokuar zgjedhjet e 30 qershori, mbi 55 % e qytetarëve kanë votuar se do të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershori.
Një përqindje goxha e lartë për zgjedhjet lokale. 55 % e pjesëmarrjes në votime është mesatarja normale e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ndërsa në zgjedhjet lokale, pjesëmarrja tenton të jenë më e ulët, nën 50 %.