Të vegjlit e opozitës kanë dalë në bllok kundër Bashës, duke deklaruar se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit dhe palët duhet të ulen në dialog. Të dyja këto i ka kundërshtuar kreu i opozitës, i cili gjatë gjithë këtyre muajve ka deklaruar se Rama duhet të japë dorëheqjen dhe nuk ulet në negociata me të. Por, Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Agron Duka shprehen për Report tv se janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje dhe sa më parë duhet të zgjidhet ngërçi politik në vend mes mazhorancës dhe opozitës. Aleatët e Bashës mendojnë se duhet të lihen mënjanë interesat politike dhe të mendohet për perspektivën europiane të vendit.
Kreu i PAA, Agron Duka thotë se dekreti i presidentit për 30 qershorin duhej respektuar nga të gjitha palët. “Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pasi mazhoranca njeh zgjedhjet e 30 qershorit, por dekreti i presidentit nga opozita duhet respektuar dhe palët duhet te ulen në negociata për një marrëveshje. Dhe nëse ne regjistrohemi nuk zgjidhet problemi, por nëse opozita vendos të regjistrohet unë do i bindem. Këto ditë do të bëjmë një takim për të vendosur unifikim. Opozita është përballë një udhëkryqi, por nga ana tjetër 13 tetori nuk është zgjidhje, por do kemi votime”, tha Duka. Ai shton se opozita nuk do të shkojë në zgjedhje me Ramën kryeministër, por si kryetar partie po.
Ndërsa kreu i PDK-së Nard Ndoka e quan datën 30 qershor si anti-kushtetuesese e ndërsa shprehet se data e zgjedhjeve është 13 tetori për të cilën duhet një konsensus mes klasës politike. “Unë e shoh 13 Tetorin legal për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. 30 qershori si datë zgjedhjesh ka rënë. Klasës politike i duhet një konsensus, kompromis dhe kjo është detyrë e kryeministrit”, tha Ndoka.
Edhe Fatmir Mediu deklaron së opozita duhet të regjistrohet në zgjedhjet e 13 tetorit sepse duhet respektuar dekreti i Presidentit Ilir Meta. Ai shprehet se hapja e negociatave është përgjegjësi e të gjithë klasës politike në vend. “Ne si opozitë duhet të regjistrohemi në zgjedhjet e tetorit, pasi nuk kemi asnjë alternativë tjetër dhe duhet të respektojmë dekretin e Metës. Duhet të ulemi në dialog me PS, mazhorancë-opozitë, në interes të vendit”, deklaroi Mediu.