Alfred Lela: Mos gjykoni amerikanët, gjykoni Bashën

Më të fundit


Nga Alfred Lela

Partia Demokratike, nëpërmjet një zyrtari të lartë, e përgënjeshtroi një lajm që qarkulloi në fillimjavë në disa media, përfshirë edhe Politiko, megjithëse ne e kishim të konfirmuar me burime të sigurta. Lajmi gjeneronte frikë për shpresat opozitare, duke qenë se Amerika, miku dhe partneri më i madh i Shqipërisë, një fuqi që në qarqet e djathta shihet me nderim dhe simpati, edhe kur agjendat e të dy palëve nuk përputhen, po shfaqej hapur në krah të qeverisë dhe të Ramës.

Në këtë kontekst qarkullimi i një lajmi të pakonfirmuar zyrtarisht nga Ambasada (kur ata nuk e mohojnë janë duke i pranuar vërtetësisë), sipas të cilit Daniel Koski, zv/ shefi  i Misionit, gjatë një vizite blic në zyrat e Bashës dhe Kryemadhit i kishte paralajmëruar se, nëse opozita dhe mbështetësit e saj ushtrojnë dhunë më 30 qershori dhe në pararendje të tij, Departamenti i Shtetit do t’i klasifikonte partitë e tyre si ‘organizata të dhunshme’.

EUReporter e përsëriste të mërkurën këtë ‘variant amerikan’ duke iu referuar edhe Koskit, ‘amerikanit misterioz’, por edhe një burimi diplomatik në Tiranë. Të enjten pasdite, pak orë pas daljes së presidentit Meta me një datë të re zgjedhjesh, Mathew Palmer, krejt ndryshe nga mbiemri, nuk sillte një palmë, por një thikë në brinjët e përpjekjes opozitare, duke njohur jo 13 tetorin e Metës, por 30 qershorin e Presidentit si datë zgjedhjesh.

Të djathtët i has ngado duke pyetur të hutuar ‘pse po na e bëjnë këtë amerikanët?”. E shohin si ‘tradhti’ këtë kalim të amerikanëve në krahun e ‘të kuqve’, megjithatë e kafshojnë gjuhën.

Po pse Washington-I, si përmes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, ashtu edhe atyre në Ambasadë, nuk ka lëshuar asnjë fije pe sa i takon zgjedhjeve dhe mbajtjes së tyre më datë 30 qershor? Edhe vetë socialistët nuk besojnë aspak se amerikanët e duan kaq shumë Ramën, sa nuk duan të shohin t’i hyjë gjemb në këmbë.

Nuk ka sekret te fakti se amerikanët i bëjnë punët me qeveritë, jo me opozitat. Këto të fundit janë gjithmonë partnerë-në-pritje të cilëve u duhet që të kalojnë gjithashtu ‘provën amerikane’. Përtej pragmatizmit ritual Washington-i ka edhe shtysa të tjera: së pari, rreziku i përhapjes së precedentit në vendet e tjera ballkanike, nëse i jepet vistoja një date zgjedhjesh alternative. Së dyti të mos harrohet një prani gjeopolitike shtesë dhe e rëndësishme, kampi i muxhahedinëve iranianë. Një trazirë politike dhe sociale do të ekspozonte rreziqe të paparashikuara për praninë e aleatëve anti-ajatollahë, që kanë bërë strehë në Manzë të Durrësit. Të mos harrojmë se kryeministri e pat akumuluar një bonus me amerikanët kur përzuri dy diplomatë të lartë të Ambasadës së Iranit.

Me të drejtë, dikush mund të mendojë se Rama ka humbur po aq pikë në ëashington, kur e shpalli, asokohe kandidatin Republikan për president, Donald Trump si ‘turp të qytetërimit’. Kush mund të thotë se, shumë në Washington dhe sidomos në Departamentin e Shtetit, nuk mendojnë ashtu si Rama, edhe sot e kësaj dite?

Pa dyshim, kali më i madh ku amerikanët e kanë vendosur bastin e tyre është reforma në drejtësi. Paradoksalisht, kryeministri e ka mbështetur këtë sponsorizim amerikan, edhe pse shumë ngulmojnë se ai do duhej të ishte koka e parë e rënë nën ndëshkimin e drejtësisë së re. Sido që të jetë, amerikanët kanë gjetur te Rama një partner (gjasat janë me be në rrenë, por ky është problem i tyre) më të sigurt se te counterpart-i i tij, Lulzim Basha. Shefi i opozitës në terminologjinë politike amerikane do të quhej flip-flopper, pra një njeri që ‘ndërron mendje’ apo, ne një kuptim më shqiptar, nuk e mban fjalën.

Basha e pat marrë një bonus para dy vitesh, kur ai e radikalizoi skenën politike, u fut në çadër, kërkoi me ngulm rrëzimin e qeverisë, ia arriti të marrë gjysmën e saj, e me radhë. Dora amerikane u shtri drejt Bashës duke prodhuar për të një pakt që e bëri të dukej fitues liderin e ri të opozitës.

Tani që Basha është vënë në rolin e vjetër të boy who cried wolf (ujku, ujku…), amerikanët nuk duan të dëgjojnë më. Ata ia kanë dhënë pass-in Bashës njëherë, një ekzigjencë që e kanë përdorur për të gjithë liderët politikë shqiptarë.

Ne duhet t’i gjykojmë për të gjithë njëlloj.



Skip to toolbar