Prej dy ditësh Policia Rrugore e Tiranës po vijon kontrollet në unazën e madhe të kryeqytetit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja të rënda. Sipas një komunikate të policisë, mësohet se të enjten në mbrëmje, në vetëm tre orë kontrolle, janë pezulluar 18 leje drejtimi.
Nga këto, 11 patenta u janë hequr drejtuesve të mjeteve që udhëtonin me shpejtësi nga 135 deri në 150 km/h, ndërsa 7 leje drejtimi u janë hequr shoferëve që udhëtonin të dehur në timon.
Policia thotë se arrestoi një drejtues mjeti që udhëtonte në gjendje të dehur, ndërsa janë konstatuar gjithsej 78 shoferë në tre orë, të cilët kishin përdorur alkol dhe drejtonin mjetin. Pasojat e përdorimit të alkolit dhe shpejtësisë janë të rënda.
Veç rrezikut potencial për tu përfshirë në aksidente rrugore me pasoja fatale për jetën, këta drejtues mjetesh do të duhet që për disa muaj të mos drejtojnë automjetet, në një kohë që mjeti mund të jetë domosdoshmëri për ta.
Në pak ditë në rrugët e Tiranës ndodhën disa aksidente rrugore me pasoja të rënda, ku të paktën tre të rinj të moshës 17 dhe 18 vjeç humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.