Mbrëmjen e të hënës Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, me president Michael Granoff, festoi 10-vjetorin e themelimit. Mes të ftuarëve që mbajtën fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni, ishte kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, Basha vuri theksin te kriza politike në vend, duke u shprehur se Shqipëria është në udhëkryq.
“Por sot kombi ynë ndodhet në udhëkryq. Ndërkohë që duam të afrohemi më shumë drejt miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ne na pret një punë kolosale, me reforma dhe ndryshime të mëdha përpara. Shqipëria është në krizë, dhe potenciali ynë i madh fatkeqësisht nuk po realizohet. Ndaj dhe koha kur jemi mbledhur për të përkujtuar 10 vjetorin e AADF është domethënëse. Në këtë udhëkryq ku ndodhemi sot, ne na duhet të zgjedhim cilën rrugë do të marrim. Do të zgjedhim rrugën e lirisë, transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit? Apo do vazhdojmë të ngecim në rrugën e tanishme, me marshin në indietro”, tha Basha.
Ndërkohë, ndryshe nga Basha, Erion Veliaj shprehu falënderimin për Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, për mbështetjen që i jep Shqipërisë. E ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, lexoi një letër të Presidentit Donald Trump që shprehte mbështetjen për këtë fondacion.
“Kjo qasje do të ndihmojë Shqipërinë drejt integrimit në BE. Ju i dëgjuat mesazhet e mbështetjes nga tre ish-Presidentë të Amerikës. Gjithashtu Presidenti Trump ishte goxha i prekur nga zhvillimet e ADF-së dhe ka dërguar një letër që e kam nderin ta lexoj. “Ju dërgoj përgëzimet e mia ADF-së për 10-vjetorin, iu uroj për këtë etapë dhe arritje. Pas rënies së komunizmit në Europën Lindore SHBA i mbështeti njerëzit përmes bujarisë së Amerikës”.
“Fondi i sipërmarrjeve ishte fondi më i vogël në vendin më të varfër në Europë i krijuar në 2009. Fondacioni vepron si dhuratë nga populli amerikan dhe ka investuar më shumë se 55 mln dollarë për sipërmarrjen dhe arsimin profesional. E përgëzoj ADF, borxhin dhe partnerët për arritjet. Ju uroj sukses të vazhdueshëm në vitet në vijim” ishte letra e Trump që lexoi e narkuara me punë Leyla Moses-Ones.