Apeli rrëzon Alushajn, hapet rruga për Kryeprokurorin

AKTUALITET


Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi kërkesë-padinë e kandidatit për kryeprokuror Lulzim Alushaj, i cili kërkonte rikthimin në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Alushaj u skualifikua nga gara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me argumentin se ai nuk plotësonte 15 vite përvoje punë si jurist i spikatur.

Por Lulzim Alushaj ankimoi vendimin e KLP-së, duke kërkuar nga Gjykata Administrative rikthimin në garë, së bashku me Arta Markun, Olsjan Çela dhe Fatjona Memçaj. Alushaj deklaroi të premten në Gjykatën Administrative të Apelit se i plotësonte kushtet e kërkuara nga KLP.

Sipas Alushaj, diploma e tij është lëshuar në 15 qershor të vitit 2004, duke pretenduar se plotëson 15 vite përvojë pune si jurist i spikatur. Gjithashtu, ai akuzoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë se veproi me dy standarde në rastin e tij. Alushaj u shpreh se KLP duhet të skualifikonte nga gara kandidatin Olsian Çela, që sipas tij ende nuk kishte kaluar vettingun.

Gjithashtu, Lulzim Alushaj mësohet të ketë kërkuar nga kryesuesi i seancës në gjykatë, Kastriot Selita, që ta quajë të paligjshme garën për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas Alushaj, KLP nuk ka respektuar ligjin për zhvillimin e garës. Ndërkohë, pala e paditur, KLP është shprehur në gjykatë se kandidati Olsian Çela ishte në proces rivlerësimi dhe ligji për garën për Prokurorin e Përgjithshëm nuk e pengon një kandidat prokuror që të kandidojë.

Por, Gjykata Administrative e Apelit vlerësoi të drejtë vendimin e KLP-së, duke rrëzuar Lulzim Alushajn. Në këtë mënyrë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhbllokon garën, duke vijuar procedurat e mëtejshme të vlerësimit të tre kandidatëve për Kryeprokuror.



Skip to toolbar