Rama: Në 10 nëntor do zgjerojmë mini-shengenin

AKTUALITET


Kanë nisur të premten punimet e Forumit “17 + 1” në nivel kryetarë bashkish, një nismë e Republikës Popullore të Kinës, e cila synon të rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës.

Në fjalën e mbajtur në këtë forum, Kryeministri Edi Rama ka folur për krijimin e Mini-shengenit ballkanik dhe tha se kjo nismë do të zgjerohet në takimin e Ohrit që do të zhvillohet më 10 nëntor, por nuk ka dhënë detaje nëse do të jetë apo e pranishme edhe qeveria e Kosovës, mungesa e së cilës shkaktoi debate në takimin e parë të mini shengenit.


“Ky është një takim me një rëndësi sepse është një forum që krijon një mundësi të rëndësishme për të gjithë administratorët e qyteteve të mëdha. Sokrati thoshte se forma më e lartë e mençurisë është ajo që vjen me planifikimin e qyteteve. Kjo është edhe sfida më e afërt në jetën e përditshme të njerëzve, ashtu sikundër në qeverisje ka një potencial të jashtëzakonshëm dije. Njerëzit e shohin bashkëpunimin me Kinën si një mundësi për financime por urat e bashkëpunimit me Kinën sjellin dije përmes të cilave këmbehen eksperienca dhe dijë që kthehen në përfitim për vendet dhe qytetet. Më vjen mirë që në këtë forum krijohet mundësi për t’u takuar me drejtuesit e vendeve që ecin në shina të ngjashme me tonat. Përpara disa javësh ne bëmë takim me krerët e Maqedonisë dhe Serbisë bazuar në katër liritë e BE, lëvizjes së njerëzve, mallrave. Kjo lëvizje do të shkojë më tutje me takimin në Ohër me 10 nëntor, ku do të mblidhen liderët ballkanik. Të bëjmë të mundur përtej këmbimit të eksperiencave edhe transferimin e dijes me qëllim zgjerimin e dijes në të gjithë territorin. Impakti i këtij bashkëpunimi do të ndihet tek qytetarët. Nëse ka një pikë ku besoj se ne kemi të drejtë të ftojmë në konflikt miqtë tanë nga rajoni është pika e ushqimit më të mirë. Si ushqehen miqtë dhe të ftuarit në Shqipëri nuk ushqehen në asnjë vend. Sot është e mjaftueshme për të nxitur ju që përveçse t’i bëni yzmetin këtij forumi të përfitoni edhe nga eksperienca e mikpritjes shqiptare”, tha Rama në forum.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj theksoi se Tirana ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin këto vite, dhe tha se ky takim është edhe një mundësi fantastike për të rritur bashkëpunimin jo vetëm me Kinën, por edhe mes vendeve të rajonit. “Ky është një qytet që është transformuar në mënyrë të jashtëzakonshme që nga koha e tranzicionit, në fillim të viteve’90, dhe në 30 vitet e fundit është qyteti që ndoshta ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin tonë, por ne jemi po ashtu të ndërgjegjshëm që vetëm nuk ia dalim dot. Ndaj shoh këtë si një mundësi fantastike jo vetëm për  rritur bashkëpunimin me Kinën, por edhe për të rritur bashkëpunimin me  njëri-tjetrin, Tiranës me Shkupin, Tiranës me Podgoricën, me Beogradin, Sarajevën, të Tiranës me qytete të tjera që ndoshta na mësojnë që nuk ia vlen të shpikim rrotën nëse diçka po funksionon perfekt në ato vende”, deklaroi  Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se tashmë Tirana ka nisur një sërë procesesh dhe bashkëpunimi me kompanitë kineze, sikurse është ajo në fushën e transportit, ku shumë shpejt autobusët elektrikë do të jenë një realitet në vendin tonë. Veliaj nënvizoi se falë edhe incentivës së jashtëzakonshme të dhënë nga kryeministri Rama, autobusët elektrike që importohen janë pa taksë dhe pa doganë. “Ne tashmë kemi filluar disa procese, ne punojmë me kompanitë kineze kur vjen puna tek kalimi tek autobusët elektrikë. Qeveria e Edi Ramës na ka dhënë një incentivë të jashtëzakonshme, autobusët elektrike që importohen, që vijnë në Shqipëri. Janë pa taksë dhe pa doganë, pra është një mundësi ideale për të promovuar jo vetëm Bashkinë e Tiranës por edhe në gjithë bashkitë e tjera dhe një shembull konkret se si qeveria qendrore lehtëson bashkitë në gjithë këto procese të inovacionit dhe lehtësisë në transport”, tha ai.

Veliaj deklaroi se Tirana është kthyer edhe në një epiqendër të aktiviteteve , seminare e konferencave ndërkombëtare. “Ka qenë një javë e jashtëzakonshme kjo për Tiranën. Kemi pasur brenda një dite rreth 10 aktivitete, hotelet të gjitha, pa asnjë mundësi ekstra akomodimi dhe jam i lumtur dhe krenar që qyteti ynë filloi një punë të mbarë, të jashtëzakonshme kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë dhe sot vijon atë traditë dhe më në fund është kthyer në një epiqendër të aktiviteteve , seminare e konferencave ndërkombëtare që po organizohen në Tiranë”, deklaroi Veliaj.




Skip to toolbar