Rusia ka kryer kundrejt Ukrainës një sulm në shkallë të gjerë mbrëmjen e djeshme si një kundërpërgjigje e operacionit të zhvilluar më parë nga Ukraina teksa bombardoi bazat ajrore të Rusisë.
Të paktën 6 persona kanë humbur jetën mbrëmjen e djeshme, përfshirë këtu dhe një fëmijë 18 muajsh pas sulmeve me dronë raketa balistike dhe bomba dy-tonëshe në qytetet kryesore të Ukrainës. Ndërsa rreth 80 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
“Kharkivi po përjeton aktualisht sulmin më të fuqishëm që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë”, shkroi kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram, duke përshkruar një breshëri raketash, dronësh dhe bombash të drejtuara që godisnin njëkohësisht.Lidhur më këtë masakër njerëzore ka reaguar dhe presidenti i SHBA-ve, Doanld Trump, i cili u shpreh se Ukraina i kishte dhënë tashmë arsye Putin për të ndërmarrë një veprim të tillë.
“Ata i dhanë Putinit një arsye për të hyrë dhe për t’i bombarduar. Kjo është ajo që nuk më pëlqeu. Kur e pashë mendova: tani do të ketë hakmarrje“, u tha ai gazetarëve.Trump tha se shpreson që lufta midis Ukrainës dhe Rusisë të mos shndërrohej në “një konflikt bërthamor”. “Shpresoj që jo“, iu përgjigj ai pyetjeve të gazetarëve që e ndiqnin.
Kujtojmë që Ukraina më 1 qershor nisi një sulm me dronë që ndryshoi gjithçka në katër aeroporte kryesore ushtarake ruse, duke dëmtuar 41 aeroplanë, përfshirë bombardues të rëndë dhe aeroplanë të rrallë spiunë A-50. Kievi ka pretenduar se kishte çaktivizuar 34% të flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë në atë që shihet si një nga operacionet më të guximshme gjatë luftës në shkallë të plotë.