“Arena Kombëtare” do të inaugurohet në datën 17 nëntor, ditën kur Shqipëria do të përballet me Francën në ndeshjen e fundit eleminatore të Euro 2020. Ky është vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, që ka zgjedhur sfidën e fundit në grupe për kualifikueset e europianit, për të hapur zyrtarisht stadiumin e ri kombëtar.
Ndërkohë, të hënën në mbrëmje është bërë testi final i sistemit të ndriçimit në stadium. Pamjet e publikuara nga FSHF tregojnë një “spektakël” dritash në “Arenën Kombëtare”, të cilat do të garantojnë cilësi maksimale për zhvillimin e ndeshjeve dhe transmetimet televizive.
Stadiumi është në fazën e fundit të punimeve, me tapetin e blertë të shtruar tashmë, 21.750 ulëset e vendosura në të gjitha tribunat dhe të gjitha facalitetet e tjera. Skeretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, është shprehur se stadiumi i ri kombëtar është në të njëjtat parametra si stadiumi i Juventusit, Shalkes, Liverpoolit, etj.
“Stadiumi i ri kombëtar është investimi më i madh i FSHF. Jemi krenar për të. Tani jemi në fazën finale të punimeve. Vendosja e stolave ka përfunduar, tapeti gjithashtu, po punohet me ambientet e tribunës. E veçanta e sistemit të ndriçimit është se veç ndeshjeve të futbollit mund të përdoret dhe për koncerte, apo spektakle të ndryshme”, tha Shulku.
FSHF ka nxjerr në shitje emrin e stadiumit të ri kombëtar, që për momentin quhet “Arena Kombëtare”. Ashtu si shumë stadiume të botës, FSHF kërkon që të përfitojë nga marketingu i shitjes së emrit të stadiumit, me të ardhurat e përfituara, do të përdoren për mirëmbajtjen e tij, pasi ka një kosto të lartë.