Cakaj: Samiti i OKB, mundësi për aspiratat e Shqipërisë

POLITIKË


Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, i cili ka marrë pjesë në punimet e sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se Shqipëria ka ambicie të mëdha në fushën e politikës së jashtme dhe po punon ngushtë me vendet e rajonit dhe atyre të BE-së në mënyrë që të marrë një mbështetje sa më të gjerë në aspirata e saj si integrimi i vendit, kryesimi i OSBE në 2020 apo edhe sigurimi i një vendi jopermanent në Këshillin e Sigurimit në 2022.

Cakaj tha se Shqipëria ka interes të madh që të sigurojë kontaktet e duhura politike dhe diplomatike që të mbështesin kandidaturën e saj për Këshillin e Sigurimit në vitin 2022. Gjithashtu ministri i jashtëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në platforma efektive multilaterale që përfshihen që nga zhbërja e varfërisë ekstreme deri tek diskutimet mbi ndryshimet klimaterike.


Shqipëria gjatë gjithë këtyre viteve është karakterizuar nga një pjesëmarrje më aktive e më dinamike në organizatat ndërkombëtare dhe platformat multilaterale, duke  filluar nga angazhimet e shtuara në NATO, duke u koncentruar veçanërisht në Kryesinë Shqiptare të OSBE-së të vitit 2020 dhe duke theksuar në mënyrë të posaçme faktin se Shqipëria aspiron që të marrë një vend të anëtarit jo permanent të Këshillit të Sigurimit në vitin 2022. Në të njëjtën kohë, kjo përbën interesin kryesor të angazhimeve të Shqipërisë në këtë sesion të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme. Ne do të zhvillojmë një numër të konsiderueshëm të takimeve, me një varg shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian, në shërbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në tetor dhe po ashtu po kryejmë detyrat tona në kuadër të udhëheqjes së Kartës së Adriatikut, që Shqipëria ka për këtë vit.

Prandaj, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse të rajonit, ne do të organizojmë takimin e Kartës së Adriatikut, për të konsoliduar më tutje bashkëpunimin rajonal në çështjet e sigurisë. Me një fjalë, Shqipëria do të artikulojë një numër të konsiderueshëm të interesave të saj të politikës së jashtme, në kuadër të platformës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kësaj radhe. Duke filluar nga rajoni, procesi i integrimit evropian, kryesia shqiptare e OSBE-së e vitit 2020 dhe, natyrisht, duke nënvijëzuar në mënyrë të veçantë aspiratën tonë për të siguruar vendin e anëtarit jopermanent në Këshillin e Sigurimit të vitit 2022.” tha Cakaj




Skip to toolbar