TIRANË- Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Partia Socialiste thotë se nuk komentojnë veprimet e drejtësisë.
“S’kam komentuar asnjëherë vendimet e drejtësisë, por Erion Veliaj ka qenë e do të mbetet mik i mirë i imi””, tha deputeti Toni Gogu, para mbledhjes së grupit.
Po ashtu të njëjtin qëndrim pati dhe deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi.
“PS nuk ndërhyn në punët e drejtësisë dhe nuk komenton ato”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.
Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar në mungesë masën e “arrestit në burg”. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, për të cilën rëndojnë të njëjtat vepra penale, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Veliaj u shoqërua nga punonjës të policisë së shtetit dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga Bashkia e Tiranës në drejtim të policisë, ku do të qëndrojë i izoluar derisa të dalë përballë gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë qe iu caktua në mungesë./abcnews.al