Një punonjës i Policisë është arrestuar në flagrancë në kuadër të një hetimi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Inspektor Çlirim Torra, me detyrë SPZ në Stacionin e Policisë Prrenjas, dyshohet se ka marrë para për t’i mundësuar një personi nën masën “arrest shtëpie” të shkelte masën e sigurisë dhe të largohej nga banesa.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka finalizuar një veprim hetimor, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë Inspektor Çlirim Torra, me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, Komisariati i Policisë Librazhd, DVP Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësi i Policisë ka marrë një vlerë monetare për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”, duke i mundësuar shkeljen e kësaj mase dhe largimin nga banesa.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj Inspektor Çlirim Torrës rëndojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Veprimet procedurale janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të personave të përfshirë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të vijojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe çdo veprimi që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.


