Artan Fuga: Në mesnatë u mblodh biroja!

Më të fundit


Në mesnatë u mblodh biroja!
———————————–
Varg nga folklori shqiptar
———————————–
Kur lexova në media njoftimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike se në datën 16 maj në ora 17 mblidhet Kryesia dhe në ora 19 të po asaj nate mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, nuk di sepse pata një të dridhur! M’u kujtua ajo natë e vonët e 17 dhjetorit, kur në bulevardin e Tiranës, nën shiun e imtë, duke kaluar pranë selisë të Komitetit Qendror pashë një tufë benzash të zinj nën shi si kërmij mbledhur kuspull a si thika që shkëlqenin nën llampat neon, lënë aty poshtë si jataganë para a pas lufte! Po këta – thashë me vete – nuk kanë orë tjetër kur të bëjnë mbledhje! Nuk e dija se aty po kryqëzohej Mehmet Shehu! Duke lexuar njoftimin e Zotit Gazment Bardhi m’u përsërit ky vegim dhe më solli trishtim. Pra mbledhja e Kryesisë do të zgjasi vetëm dy orë. Dhe e gjitha nën presionin : “Mbarojmë shpejt shokë se jashtë na presin antarët e Këshillit kanë ardhur nga ana e anës! Mos merremi me hollësira!” Dy orë. Si në ndeshje basketbolli a futbolli, asnjë minutë më shumë, bie bilbili dhe loja mbaron. Njoftimi i zotit Bardhi duket sikur është nxjerrë nuk e di se nga çfarë dollapi. Diskutime – thotë. Pra mbledhja fillon me diskutime!!! A ka një raport analizë apo jo? Poqese është raporti përse nuk e thua zotëri? Përse nuk e bën publik përpara që ta njohin edhe zgjedhësit, edhe opinioni i gjerë shoqëror, sikurse do t’i kishte hije një partie demokratike! Do të diskutojmë për situatën pas zgjedhjeve – shkruan – të 25 prillit. Pra, jo për atë që ka ndodhur përpara zgjedhjeve, si u organizua partia për të shkuar në zgjedhje! Jo për shkakun, por për pasojën! Se mos prek njeri probleme që kanë të bëjnë me atë si erdhëm deri në 25 prill? “Je jashtë teme more shok!” Me këtë temë – shkruan do të mblidhet edhe këshilli!!! Këshilli që e fillon mbledhjen në ora 19. Natën, se nuk ka ditë për ata. Nuk e di para apo pas darke! Përgjumur nga nata që bie! Pse dy tema do të mendojmë ne? Ndërkohë shkruhet se do të diskutojmë (!!!) për “masakrën elektorale”. Shihni si çfarë termi nxirrret! “Masakër”! Metaforë letrare! Maskarada e maskarës! Poqese zoti Bardhi e ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ishte “masakër, çfarë do të diskutojmë? Po ata deputetë që fituan do ta rrëfejnë masakrën? Ky është udhëzimi! Diskutojmë për atë që na masakroi, mos dali njeri jashtë teme e të diskutojë përshembull se përse e pranuam këtë fletë votimi që ishte gati për “masakër”! Bie fjala! “Mos dil nga tema moj shoqe! “Shoh një njoftim që nuk e firmos zoti Basha, por zoti Bardhi! Sipas, normave të partisë, do më thotë ndokush. Por, në një moment si ky kaq i rëndësishëm nxirret një tekst që të bën të pyesësh: Ku është zoti Basha? Përse nuk firmos ai? E më tej çfarë mendon për këto njoftime që duhen futur në dollap? Mos e ka shkarkuar zoti Bardhi zotin Basha ndërkohë që ky është në takime në bazë me zgjedhësit që nuk duhet të mërziten se do të ketë zgjedhja të reja përsëri herë tjetër? Mos i ka bërë puç? E nuk sheh një ftesë për mediat. A do të bëhet një mbledhje me kamera televizioni sikurse i ka hije partisë demokratike, apo sikurse bënte kpd Nano, apo Rama kur përjashtonte Ben Blushin, apo do të bëhet një mbledhje si ajo e 17 dhjetorit nën shiun e darkës në Tiranë, kur biroja, mbyllur në vetvete, si bandë keqbërësish mblidhej jashtë syrit dhe veshit të publikut, për të na dhënë në darkë bashkë me filmin “Ushtari i mirë Shvejk” njoftimin e thatë: “Mehmeti na la, Nakua na la, por partia është me unitet të çelniktë kundër armiqve”? Ne fituam dhe do të shkojmë kështu në fitorje të reja! Po çfarë bëhet, çfarë bëhet! Njoftimi i zoti Bardhi duhet të futet në dollap sepse, është një frymë e shekullit të kaluar, si ato të Berjas, është një tallje me opinionin publik!



Skip to toolbar