Asociacioni, Hovenier: SHBA nuk mbështet diçka që mund t’i ngjajë Republikës Srpska

KOSOVA


“Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin dhe nuk do të mbështesin diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”.

Kjo ishte deklarata e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kur pyetet se cili është qëndrimi i ShBA-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.


Në një intervistë për mediat në vend, Hovenier ka deklaruar se SHBA nuk i ka kërkuar asnjëherë Kosovës që të themelojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Por, dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë, dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, deklaroi ai.

Hovenier u shpreh se SHBA është duke kërkuar një lloj Asociacioni, i cili bën vetëm renditjen në mënyrë më të mirë të funksioneve qeverisëse komunale, që tashmë, sipas tij, rregullohen edhe përmes ligjeve të Kushtetutës.

“Po kërkojmë një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i bashkërendit më mirë funksionet që këto qeverisje komunale tashmë i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, në fushat si kujdesi shëndetësor, arsimi, rregullimi urban, planifikimi, që ua mundëson atyre që në mënyrë më efikase t’i përdorin, t’i përmbushin ato përgjegjësi, në një mënyrë që është domethënëse për komunitetin etnik serb.”

Hovenier deklaroi po ashtu se nuk pret që çështja e Asociacionit të jetë e para që përfundon, por as edhe e fundit.

Një gjë mbetet e qartë, sipas tij, se qëndrimi i ShBA-së, lidhur me Asociacionin, nuk ka ndryshuar dhe as nuk pritet të ndryshojë. Themelimi i Asociacionit, sipas tij, është zotim i Qeverisë së Kosovës, përmes marrëveshjes së Brukselit.




Skip to toolbar