Atentati i prokurorit, targat u vodhën në Tiranë. Veliu mbledh grupin hetimor

AKTUALITET


Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Ladi Muharremi, i njohur si i ‘forti i Sukthit’ ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat hetimore të policisë, ku edhe të dielën, kreu i policisë ka kërkuar mbledhje me drejtuesit e hetimeve. Deri tani, grupi hetimor ka zbuluar se atentati është planifikuar prej më shumë se një jave ndërmjet Tiranës dhe Durrësit. Hetuesit kanë faktuar se targat e mjetit të atentatorëve AA 342 LM ishin vjedhur një javë më parë në Tiranë dhe i përkisnin një vajze e cila kishte denoncuar vjedhjen në polici.

Nxjerrja e këtyre fakteve nga hetimi dhe diskutimi për zbulimin e autorëve ka bërë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu të mbledhë këtë të diel strukturat drejtuese të policisë në DVP Tiranë, strukturat drejtuese dhe grupin hetimor. Veliu ka kërkuar informacion në lidhje me ecurinë e deritanishme të punës për zbardhjen e të gjitha provave në dy automjetet e ngjarjes në fjalë dhe punën për identifikimin e autorëve të ngjarjes.


Hetimet për targën

Targat “AA 342 LM”, me të cilat u kamuflua makina tip “Mercedez Benz” e përdorur për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Sukthit në autostradën Durrës-Tiranë janë denoncuar të vjedhura në Tiranë një javë para ngjarjes.  Këto targa iu vunë makinës “Mercedez Benz 280” e cila pasi kreu atentatin në parakalim ndaj fuoristradës ku udhëtonte dhe prokurori me Aleksandër Lahon, njohur edhe si Ladi Muharremi, u largua në drejtim të Gjirit të Lalzit për t’u braktisur e padjegur. Në brendësi të këtij mjeti u gjetën dy maska koke, dy automatik kallashnikovë, një shishe benzinë dhe disa gjurmë. të cilat po analizohen në laboratorin e policisë shkencore.

ReportTv mëson se targat i përkasin një veture ‘Nissan’ në pronësi të V.Gj. e cila kur ka dalë një javë më parë në mëngjes të përdorë makinën e saj e ka gjetur atë pa targa. Atentati është duke u hetuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda, Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj.

Gjendja shëndetësore

Nga ana tjetër, Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur me psedonimin “Rrumi” vijojnë të qëndrojnë në spitalin e Durrësit që prej pasdites të së premtes. Fraktura që prokurori Ndoja ka pësuar në shpatull sipas mjekëve kërkon ende kujdesin e tyre, duke u mbajtur në terapi intensive në pavijonin e Ortopedisë. Ndërsa plagët e shkaktuar nga plumbat nuk përbëjnë problem për shëndetin e tij.

Ndryshe nga prokurori, i plagosuri tjetër Aleksandër Laho qëndron në pavijonin e kirurgjisë. Dëmtimi që i është shkaktuar nga një plumb i vetëm, i cili ka depërtuar nga shpatulla në drejtim të nofullës është i rëndë. Mjekët thonë se 48-vjeçari ka reaguar pozitivisht, por dëmtimi thuajse i plotë i nofullës e bën të pamundur komunikimin me të, duke kërkuar një kujdes të veçantë. Të dy pacientët të veçuar nga njëri-tjetri vijojnë ende të ruhen nga forca të policisë. Veç familjarëve dhe hetuesve të çështjes nuk lejojnë askënd tjetër t’u gjinden afër për arsye sigurie.




Skip to toolbar