Vetëvendosje në Tiranë, Skënder Minxhozi: Po përzihet në punët e Shqipërisë, jashtë hapësirës së vet natyrale

Analisti Skënder Minxhozi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për ngritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, deklaroi se LVV po përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë.

Analisti Skënder Minxhozi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për ngritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, deklaroi se LVV po përzihet në punët e brendshme të Shqipërisë.

Minxhozi theksoi se sic nuk ka parti politike në Shqipëri që mund të ngrihen në Kosovë apo të përzihen në atë hapësirë, ashtu edhe VV nuk mund të përzihet në hapësirën e një tjetër shteti.

Vizita e Albin Kurtit në Tiranë është krejt normale. Një vizitë që i kishte të pritshme diferencat. Ju kujtoj se paraardhësi i Kurtit është në gjyq me Ramën. Ishte vizitë formale. Kurti ka hyrë në një zyrë të re.  Albin Kurti ndodhet në këto orë në trysni, pasi zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se duhet hequr taksa ndaj Serbisë. Sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, duhet që marrëveshjet mes shteteve të marrin jetë. Kurti këtu ka të drejtë që duhen zbatuar marrëveshjet.

Unë mendoj se Albin Kurti nuk ka të drejtë, është që një forcë të shkojë të ushtrojë pushtet në një shtet tjetër. Edhe fakti se VV mund të përfshihet në aksione [përtej hapësirës gjeo-politike ku ka lindur dhe ku ka marrë edhe votat. Dy shtetet që janë shumë të papërgatitura ku mund të komunikojmë sipas ambicieve të partive. Sic nuk ka parti nga Tirana që nuk mund të thotë se cfarë të bëhet në Prishtinë, ashtu besoj ndoshta nuk ka parti që duhet të përzihen jashtë vendit”, tha Minxhozi.

“Tirana 100”, Rama rrëfen historinë e diplomatit: Po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë përshëndetëse sot në aktivitetin e organizuar për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Shefi i maxhorancës e nisi duke treguar një bisedë me ish-shefen e diplomacisë europiane se si për vendin e ambasadorit të BE në Tiranë aplikuan 40 kandidatë dhe theksoi se është një qytet ku gjithmonë duan të kthehen.

“Nuk e mbaj mend saktësisht vitin por mbaj mend që ishte i hapur vendi i punës për ambasadorin e BE-së dhe rastësisht kam takuar shefen e atëhershme të diplomacisë europiane që më tha ‘çfarë ndodh me Shqipërinë’? S’e kuptova pyetjen, tha ‘kemi disa vende për ambasadorë dhe kemi hapur aplikimet. Për vendet e BE-së ka një mesatare të zakonshme 9-10 aplikime, për vendin në Tiranë janë 41 aplikantë. Çfarë është ai vend, pse duan të vijnë në Tiranë’? ‘Përveç kësaj’ tha, ‘ka ambasadorë aktualë që janë ambasadorë ose që janë në pozicione të mëdha në ambasada nëpër botë që kanë qenë në Tiranë dhe duan të kthehen në Tiranë’. I thashë kush janë, më tha ‘nuk mund ta them dot’. Mora vesh që njëri ishte sekretar i parë në një nga ambasadat më të mëdha të botës. I çova e-mail dhe e pyeta a është e vërtetë që ke aplikuar të kthehesh në Tiranë? Dhe më shkroi, ‘po e vërtetë është, po ke qenë në Tiranë s’ka kontinent që ta mbush syrin’.

E marr me mend se çfarë mund të jenë në këtë moment duke menduar dhe cilat faqe të librit të shtëpisë janë duke më sharë ata që ndoshta po më ndjekin dhe që thonë çdo ditë e çdo natë këtu është ferr e këtu nuk jetohet. Por e vërteta është që ky është një qytet që unë në vetë të parë e kam provuar që në sytë e atyre që vijnë është një vend ku duan gjithmonë të kthehen. Edhe gjithë Shqipëria po ashtu por po flasim sot për Tiranës. Mbase këta që vijnë nga BE-ja janë të lodhur me shumë rregull e me shumë disiplinë, me shumë standarde e shumë monotoni. Mbase ata që vijnë nga Amerika janë të lumtur sepse këtu ndihen njësoj si Papa kur shkon në Argjentinë. Mbase të tjerët që vijnë mendojnë që vijnë në mes të Europës pa pritur të gjejnë gjëra që Europa nuk i ka dhe iu kujtojnë vendet e tyre. Është një qytet që 100 vjet më parë ishte shumë i vogël dhe në shekullin e 19 kishte vetëm 10 mijë banorë.

U ndërtua në një mënyrë si pak qytete të tjera nga shumë duar që ia lanë stafetën njëra-tjetrës me hir ose me pahir dhe që vunë tullat e tyre duke sjellë kultura të ndryshme, vizione e perceptime dhe mënyra të ndryshme të jetuarit të realitetit”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se Tirana prodhon me shumicë dhe energji autoshkatërruese duke sjellë një tjetër episod për ta ilustruar këtë nga e kaluara, kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.

“Duke e pas prekur me dorë dhe duke pasur dhe unë dorën time tek këto duart stafetë pas stafete them se më shumë pas çdo filozofie mund të vlejë për të përcaktuar një epokë një episod që e kam pasur me një ndërtues tek Lana. Lana po prishej dhe unë ndiqja shkatërrimet, kur shoh që para kësaj ndërtese po shkarkoheshin vetrata për t’u montuar. Mendova se ishte dikush që po na sfidonte. Zbrita dhe pyeta kush është pronari, më thanë është lart po monton vetratat. Iu thashë i thojini të zbresë pak poshtë. Zbriti dhe i thashë çfarë po bën? Më tha çfarë po ndodh rreth e rrotull është fiksimi jot, çfarë po bëj unë është fiksimi im. Kam që ‘91 dhe e kam fiksim ta shoh të mbaruar”, tregoi më tej kryeministri.

Ai risolli fjalët e Kadaresë së madh për të përkufizuar kryeqytetin shqiptar. “Dua t’i referohem dy vargjeve të Ismail Kadaresë që thotë ‘Tirana gdhin aq pabesisht e hijshme sa s’di për çfarë ta marrësh për delir apo për qytet’. Kjo frazë i ka brenda të gjitha dhe të shëmtuarën dhe të bukurën. Dhe ndërtimet pa leje dhe kullat. Dhe sheshin ‘Skënderbej’ dhe pazarin megjithëse nuk ka më Pazar lopësh se i ka mbledhur lali të gjitha. Është momenti për të thënë që vërtetë nuk është aq fat i keq të kesh lindur në Tiranë, të vish në Tiranë. Është Amerika jonë e vogël në kohën kur Amerika na ngjante më shumë ne se Amerikës sot. Duke parë si iu shkëlqejnë sytë ambasadorëve këtu mendoj se nuk jemi keq”, u shpreh Rama.

“100 vjet Kryeqytet” ekspozohen 12 vula të Tiranës

Në festimet për 100 vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, është përfshirë dhe Arkivi Qëndror i Shtetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bashkë me Drejtorin e Arkivës, Ardit Bido kanë çelur këtë të martë në ambientet e Kalasë së Tiranës, ekspozitën “Tirana, 100 Vjet Kryeqytet” ku janë paraqitur dokumente origjinale dhe 12 vula fizike që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

Ekspozitë e cila do të jetë e hapur gjatë dy ditëve dje ku veç 12 vulave fizike të administratës së Tiranës ndër vite, janë të ekspozuara dhe dokumente origjinale, mes tyre aktet e para, njoftime për shpalljen e Tiranës Kryeqytet të përkohshëm të viteve 1920-1921 apo dhe Statutin themeltar të Republikës së Shqipërisë të vitit 1925 ku Tirana shpallet zyrtarisht Kryeqytet

Gjithashtu pjesë e kësaj ekspozitve janë dhe disa qarkore, vendime të marra nga administrata e Tiranës nga viti 1928-1997 ku shihen mjaft qartë vulat dhe evolucioni i tyre. Të gërshetuara në këtë ekspozitë janë edhe imazhet e Tiranës, ngjarjeve historike të shkrepura në fotografi ndër vite, të prezantuara nga Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë.

SHBA kritika Qeverisë për Duty Free: Prish barazinë e bizneseve

Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e kompanisë “Albanian Duty Free Development” në pronësi të Elona Caushit për shfrytëzimin e dyqaneve Duty Free në Rinas edhe për 5 vitet e ardhshme.

Gjykatësi Avni Sejdi shfuqizoi urdhrin e Ministrisë së Financave, që i anuloi kompanisë në fjalë lejen e shfrytëzimit, në një kohë që fituese e tenderit për hapësirat duty free në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, të zhvilluar nga TIA vitin e kaluar është shpallur kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF).

Menjëherë pas këtij vendimi, ka reaguar ashpër Ambasada e SHBA-së në Tiranë duke i kërkuar qeverisë shqiptare që të garantojë transparencë dhe barazi për të gjithë bizneset.

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme” thuhet në reagimin ambasada e SHBA-së.

Edhe ministria e Financave ka reaguar kundër vendimit të gjykatës për dyqanet në Rinas. Institucioni, që gjykata sot e rrëzoi, thotë se ky vendim tregoi se forcimi i shtetit të së drejtës mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Në fund, Financat e mbyllin reagimin duke thënë se është e hapur për propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Cështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anullimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop. Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në cështjen në fjale, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend. Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj” deklaron ministria e Financave.

Avokati i Shullazit: Është show. Pasuria e klientit tim, ka kaluar në sitën e “Anti-Mafias”

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, ka reaguar pas kërkesës që Operacioni “Forca e Ligjit” i bëri klientit të tij për të bërë deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve.

Avokati Meçe e cilëson një “show” aksionin e OFL, duke u shprehur se klienti i tij e ka kaluar pasurinë në sitën e ligjit “Anti-Mafia” dhe nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme.

Ndër të tjera, avokati është shprehur se Shullazi nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje sipas tij, nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një sipërfaqeje në një objekt.

“U njoha me lajmin që OFL i ka derguar klientit tim kërkesë për të paraqitur deklaratë mbi pasuritë. Sipas meje është një “show”, sikundër ka rezultuar edhe në ndonjë rast të mëparëshëm. Në dijeninë time, pasuria e klientit tim e ka kaluar sitën e ligjit Antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme, produkt i ndonjë vepre penale apo të pajustifikuar nga burime të ligjshme.

Pavarësisht zhurmës mediatike që po e shoqëron procesin kundër tij pothuaj prej 4 vjetësh, proces ky i montuar, ku janë shkelur të gjitha parimet mbi të cilat ngrihet një proces i rregullt penal, klienti im nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një siperfaqe në nje objekt, që është legjenduar si e marrë me dhunë, por që gjithsësi është objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka perfunduar.

OFL- ja përpara se të kërkonte prej tij deklarimin e pasurisë, do ishte mirë të kishte kryer qoftë dhe një verifikim dhe të mos ushqente me zhurmë të panevojeshme opinionin publik. Sipas meje, ky është një ndikim i hapur dhe i paligjshëm në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar! Megjithatë, klienti im nuk ka asgjë për të fshehur dhe do ti përgjet OFL në kohë dhe në mënyrë të plotë!”  – thuhet në reagimin e avokatit.

Zaloshnja: Problemi madhor i PD-së, 740-ta; minori, LSI-ja

Nga Eduard Zaloshnja

Kur partitë e djathta e humbën pushtetin më 1997 (pas një rebelimi popullor), votat e tyre pësuan rënie. Por me kalimin e viteve, ato shënuan një rritje graduale, e cila kulmoi në vitin 2009 (shihni grafikun shoqërues). Në atë vit, koalicioni i PD-së mori 710 mijë vota dhe koalicioni tjetër i djathë (Poli i lirisë së LZHK-së, PDK-së etj.) mori 30 mijë vota (gjithsej 740 mijë).

Katër vjet më vonë (më 2013), votat e djathta pësuan një rënie të lehtë – koalicioni i PD-së mori 680 mijë vota dhe FRD e Topit mori 30 mijë vota (gjithsej 710 mijë). Ndërkohë, në zgjedhjet e atij viti, votat e partive të majta shënuan një rekord historik – u bënë plot 1 milion…

Ndërsa në vitin 2017, votat e partive të djathta (PD, PR, PDIU etj., pavarsisht se s’ishin në koalicion) pësuan një tkurrje dramatike, ndërkohë që votat e partive të majta (PS, LSI, PSD, LIBRA, PDS etj., pavarsisht se s’ishin në koalicion) e tejkaluan nivelin 1 milion.

Fakti që partitë e djathta e kanë rekordin historik (pas vitit 1997) në nivelin e 740 mijë votave, përbën një problem për PD-në, partinë kryesore të djathtë. Kjo, sepse partitë e majta (edhe kur kanë garuar së bashku, edhe më vete) kanë përsëritur dy herë rresht së fundmi rekordin e 1 milion votave.

Por LSI-ja, partia e dytë e majtë ka kaluar në koalicion me PD-në tani. A nuk i jep kjo lëvizje shpresë PD-së se mund të krijohet një balancë votash mes dy kampeve në zgjedhjet e ardhshme?

Është e vërtetë se LSI-ja mori 225 mijë vota në zgjedhjet e fundit, por ikja e saj nga pushteti (pas 8 vjetësh) dhe futja në koalicionin e djathtë nuk garantojnë një transferim mekanik të votave në kampin e djathtë. Sepse shumica dërrmuese e votuesve të LSI-së janë tradicionalisht të majtë.  

Në fakt, në sondazhin e fundit që kam zhvilluar, rezutonte se 1/3 e votuesve të LSI-së janë të gatshëm të votojnë sot për PS-në, ndërsa 1/3 nuk janë gati të votojnë për asnjë parti. Vetëm 1/3 i mbeten besnikë LSI-së, pavarsisht se ajo ka kaluar në koalicionin e djathtë.

Me pak fjalë, PD-ja ka një problem madhor, sepse partitë e djathta morën 200 mijë vota më pak se rekordi i tyre 740-mijësh, dhe një problem minor, sepse aleatja e majtë (LSI-ja) mund të transferojë vetëm 1/3 e votave të saj nga majtas, djathtas…

Policia nis hetim pasuror për Vladimir Gjutën

Policia e Tiranës ka nisur hetimin pasuror ndaj Vladimir Gjutës, të arrestuar një ditë më parë para selisë së Partisë Socialiste, pasi tentoi të hynte brenda i armatosur, teksa po zhvillohej mbledhja e Kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Policia thekson se i ka sekuestruar mijëra euro, dollarë dhe lekë shqiptari, një mjet tip “Audi A8” të blinduar, si dhe arma e zjarrit municione luftarake dhe një dorezë grushti metalike, që kishte me vete në momentin e arrestimit, para selisë së PS.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me prokurorinë, nisi hetimin pasuror ndaj shtetasit V. Gj. 40-vjecari V.Gj, i arrestuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pasi u kap me armë zjarri me vete dhe një shumë të madhe parash. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe shuma të mëdha parash. Sekuestrohet edhe një automjet i blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari V. Gj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10.02.2020, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Gj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municon luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash.

Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja.

Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas.

Në vijim të veprimeve, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur hetimi pasuror për shtetasin V. Gj.

Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sot Tirana mbushi 100 vjet Kryeqytet i Shqipërisë, nderohen familjet tiranase

Sot Tirana mbushi një shekull Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Me këtë rast, Bashkia e Tiranës nderoi me medalje mirënjohjeje disa nga familjet më të nderuara të qytetit, të cilat kanë kontribuar ndër vite. Në ceremoninë kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar, morën pjesë deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare, si dhe pasardhës të familjeve të vjetra tiranase. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se 100 vjetori e gjen Tiranën me aspiratën për t’u bërë një qytet modern dhe evropian. “Ndihem i përkëdhelur nga fati që më takoi mua të jem kryetari i Bashkisë kur mbushen fiks 100 vite nga momenti kur qeveria e Sulejman Delvinës hyri në Tiranën që u shpall Kryeqytet në atë kohë. Jam i lumtur që jemi të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë, të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet. Tirana nuk është perfekte, por megjithatë ka aspiratën të bëhet një qytet modern dhe europian. Kemi shumë punë përpara. Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës dhe le të endim në jetët e të tjerëve një monument që vlen më shumë se çdo monument guri dhe që është dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi se klasa politike ka për detyrë të plotësojë kohën e humbur në 100 vitet që lamë pas. “Historia e Tiranës nuk ka qenë gjithmonë pozitive në aspektin politik, ka pasur ulje, ngritje, që sot na bëjnë të reflektojmë si i kemi shpenzuar 100 vitet e para. Si klasë politike e kemi për detyrë të plotësojmë kohën e humbur për Tiranën. Gjithsesi, edhe modelet pozitive janë të shumta, janë ngjarje që na bëjnë krenarë e na frymëzojnë. Ju kujtoj duke filluar nga vitet e para ku Mbreti Zog solli modernizimin e Tiranës, me ideimin, projektimin, ndërtimin e kompleksit të ministrive dhe bulevardit në vitet ’20-’30; Epopeja e luftës për çlirimin e Tiranës, etj”, shtoi ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana sot është jo vetëm epiqendra politike, kulturore, sociale, por edhe fuqia ekonomike. Ai theksoi se ky 100 vjetor është edhe një moment për të parë atë që është bërë në këtë një shekull dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen. Sipas tij, kemi nevojë për më shumë bashkëpunim. “Teksa futemi në një shekull të ri të Tiranës, ka ardhur koha që të shohim përpara dhe të marrim disa vendime. Në dallim me shekullin që kaloi, do duhemi më shumë apo do urrehemi më shumë? Do punojmë më shumë apo do pengojmë më shumë? Do respektojmë më shumë apo do fyejmë më shumë? Ju pyes edhe pse pyetjet janë retorike, por janë pyetje që secili do të duhet t’i përgjigjet: E kemi vetë në dorë ecjen përpara apo pengimin e këtij qyteti, mallkimin apo bekimin e këtij qyteti. Unë besoj se do të marrim vendime të drejta, që Tiranën ta çojmë përpara”,  tha Veliaj. 

Ai deklaroi se në respekt të historisë, godina ku u mblodh Këshilli Kombëtar që ishte njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar që sot shërben si Teatri i Kukullave do të kthehet në një shtëpi muze. “Në 27 Mars 1920, pra pak më shumë se një muaj nga shpallja kryeqytet, u mblodh Këshilli Kombëtar, që është njëkohësisht edhe Parlamenti i parë shqiptar, në godinën ngjitur, që sot shërben si Teatri i Kukullave. Shumë shpejt do ta rikthejmë në një shtëpi muze për Parlamentin shqiptar, për ta transferuar Teatrin e Kukullave në një ndërtesë tjetër moderne, e për t’u siguruar që në shekullin e dytë kthejmë kokën pas për të kujtuar atë pikë reference të Parlamentit shqiptar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se një nga vendimet e para të qeverisë së atëhershme ishte themelimi i Bibliotekës Kombëtare. Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për themelet e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare, që do i shërbejë studiuesve, por edhe të pasionuarve pas librit e dijes. “Një shtëpi mund të prishet, makina mund të përplaset, një celular mund të humbasë, por e vetmja gjë që nuk ikën është dija. Etërit e kombit tonë dinin diçka, duke qenë se institucioni i parë që themeluan pas Parlamentit, ishte institucioni i Librit. Nuk ka gjë që jehon më shumë nga shtetformimi i ditëve të para, se akti i parë i Parlamentit ishte themelimi i Bibliotekës Kombëtare, si një nga institucionet kryesore në vend. Lajmi i mirë për ata që ende e kanë librin një udhërrëfyes në jetën e tyre, është se qeveria shqiptare dhe kryeministri sapo ka konfirmuar ngritjen e Bibliotekës së re Kombëtare si një shenjë mirënjohjeje për të filluar shekullin e dytë, ashtu siç e filluan të parët tanë shekullin e parë me librin dhe Bibliotekën Kombëtare”, deklaroi Veliaj.

Prefektja e Qarkut të Tiranës, Suzana Jahollari nënvizoi se ndihet e privilegjuar kur Tirana si kryeqytet prek shekullin e parë, është shpallur Kryeqytet i Rinisë për Evropën 2022 dhe kur po ndryshon shumë. Kreu i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi tha se Tirana është sot një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të ndryshimit të shpejtë. Për gjatë gjithë ditës, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me koncertin festiv në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të këndojnë yjet e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme

Kurti takon Metën e Bashën

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua dhe me Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Gjatë takimit me Presidentin Meta, është diskutuar rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese të të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimeve në rajon.  Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.   “Janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”. – u shpreh Meta gjatë takimit me Kurtin.

Ndërkaq, në përfundim të takimit me Kryetarin e Partisë Demokratike si Basha ashtu dhe Kurti në një pronncim përpara mediave nënvizuan domosdoshmërinë që poliitka të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.” – u shpreh Kryeministri i Kosvës Albin Kurti.

Ndërkaq, Basha e ka siguruar Kryeministrin Kurti se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Kosovës janë të qarta. “Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.” – tha Basha.

Gramoz Ruçi takon Albin Kurti: Besim të plotë tek ju, do i përballoni me sukses sfidat

Në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Gramoz Ruçi priti Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Ruçi shprehu besimin e plotë se në lidershipin e Albin Kurtit dhe qeverisë së re Kosova do të përballojë me sukses sfidat e vështira. Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë sipas Ruçit do të nxisë bashkëpunimin për rolin e Kosovës si një faktor paqe, sigurie e stabiliteti në rajon.

“Nën lidërshipin tuaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon. Sakrificat tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpëunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.” – u shpreh Ruçi.

Kryeministri Albin Kurti falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej. “Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës,” – u shpreh Kurti.

Skip to toolbar