Legalizime të jashtëligjshme, KLSH kallëzon ish-drejtorin dhe dy përgjegjës të ALUIZNI-t

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin I.SH. dhe dy ish përgjegjës sektori të legalizimit A.A. dhe I.K. në ish-drejtorinë rajonale të ALUIZNIT Tirana jug, të cilët akuzohen për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.  Gjatë auditimit për periudhën 2016- 31 tetor 2018, KLSH ka konstatuar disa shkelje nga ana e tre ish-zytrarëve.

KLSH i konsideron të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e ish Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug për kryerje të legalizimeve të jashtëligjshme dhe veprimeve në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale.

Ish drejtori dhe dy ish përgjegjës akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa KLSH rekomandon Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug,  për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundërligjshme në legalizime duke renditur disa shkelje.

“Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Tirana Jug në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Në kualifikimin e objekteve informale, ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë, vetëm shkresën për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për 4221 objekte informale dhe pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj për dalje me vendim kualifikimi për 4017 objekte informale duke krijuar një mungesë të ardhurash ne buxhetin e shtetit në vlerën 161,317,255 lekë

– Janë lëshuar  4221 leje legalizimi për objektet  informale të  legalizuara, nga këto 2101 leje legalizimi ose rreth 50 % e tyre lejet e legalizimit janë lëshuar vetëm për objektin me shënimin në lejen e legalizimit “Kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore do miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave”  referuar V.K.M. nr.954, datë 25.11.2015 dhe V.K.M. 1095, datë 28.12.2015”. Nga 2101 leje legalizimi në momentin e auditimit për 213 leje legalizimi konstatohet se ka miratim të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, ndërsa për 1888 leje legalizimi në momentin e auditimit nuk ka VKM për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore ose në mungesë të ardhura në vlerë  1,059,959,811 lekë + bono privatizimi  (1,216,148,000 lekë – 156,188,189 lekë ).

-Janë nxjerrë nga arkiva dhe ka kryer verifikimet ne teren, hartuar gen planet, planimetritë për 4107 objekte informalë të vetëdeklaruar si ndërtime pa leje, por nuk ka vazhduar procedurat e kualifikimit dhe pajisjet me Leje Legalizimi për këto subjekte.

-Në 25 rastet “Procesverbal i verifikimit në terren i të dhënave të ndërtimit pa lejë/shtesë në ndërtimin me leje”, nuk është i plotësuar sipas kërkesave ligjore.

– Për 31 dosje të objekteve rezultoi se ka mangësi në dosje të dokumentacionit të kërkuar ligjor si vetëdeklarimet dhe ose nuk disponohet dosje të hapur.

– Në 12 raste, janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët, madje është cenuar trupi i rrugës ku sipas Gen Planit të administruar në dosje rezulton se objektet bien mbi projektit infrastrukturor të Planit të Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, ndërkohë që në dosje nuk ka korrespodencë shkresore me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të përcaktuar nëse parcela ndërtimore bie mbi projektin infrastrukturor;

– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit të ndërtuar më pas nga periudha e deklaruar në vetëdeklarim, ku referuar imazheve nga gjeoportali asig.gov.al, rezulton se nuk ka ndërtim në vitin 2007, ndërkohë që sipas imazheve dixhitale dhe në vitin 2010, i deklaruar si viti ndërtimit në vetëdeklarimin nr. 1219, objekti nuk rezulton i përfunduar.

– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit informal të ndërtuar në buzë të lumit “Lana”, në dosje nuk ndodhet dokumentacion justifikues për këtë qëllim.

– Në 3 raste sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si  genplani, harta dixhitale e paraqitur, statusi i pronës, rezulton  se objekti është të një parcelë ndërtimore në pronë të Kryegjyshatës, pasi nga verifikimi i materialit hartografik dhe pozicionimit të pronës nga  punonjësit e autorizuar, rezulton se objektet informalë, ndodhen  mbi pasurinë “Truall” me sip. 33073 m2 në pronësi të Kryegjyshata Botërore Bektashiane” shkruhet në raportin e KLSH.

Koronavirusi, 3 leksionet që Kina nuk i mësoi kurrë

Në mars të 2003-shit një virus i frikshëm, misterioz dhe i panjohur më parë, u përhap me shpejtësi marramendëse në mbarë botën. SARS, sindroma e vështirësisë akute respiratore infektoi brenda pak javësh mbi 8 mijë persona dhe vrau 800 vetë. Shumica prej atyre që u infektuan, përfshirë këtu edhe mjekët, kaluan brenda pak ditësh, nga simptomat e gripit, tek pneumonia e rëndë. Virusi u përhap menjëherë në 26 vende të botës dhe Kina u kritikua nga OBSH për lajmërimin me vonesë të mundësisë së përhapjes së këtij virusi, vdekjeprurës.

Sot, 17 vite më vonë, përhapja e një virusi të ri, edhe ky vdekjeprurës, rikthen në memorie situatën me SARS, duke vënë në alarm sigurinë në rang global e duke drejtuar gishtin sërish nga qeveria kineze. Kina është përgjigjur me masa të ashpra, duke vendosur në karantinë milionë banorë, në disa qytete të prekura tashmë. Por a është përgjigja në kohë? Dhe a i ka marrë Kina mësimet e duhura, pas përhapjes së SARS në 2003?

Ekspertët flasin për 3 mësime, ku i pari është se Kina duhet forconte bashkëpunimin me vendet e tjera, në nivel shëndetësor së pari, e më pas edhe politik.

Mësimi i dytë, për të cilën Kina po kritikohet gjerësisht, është mbulimi i kësaj situate. Koronavirusi është përhapur në disa province kineze, 6 javë më parë, por situata u bë publike dhe alarmante, pasi viktimat e para ishin shënuar.

Dhe mësimi i tretë që Kina duhej të kishte marrë, pas ngjarjeve të 2003, ishte përmirësimi i përgjigjes mjekësore. Alarmi në mbarë botën, u përhap vetëm pas reagimit të Organizatës Botërore Të Shëndetësisë. Por a mjafton veç paralajmërimi për mospërhapjen e koronavirusit?

1.2 ton kokainë nga Karaibet, mediat greke: U sollën me jaht, organizator, një shqiptar

Mediat fqinje kanë zbuluar detaje të reja nga operacioni në Astakos të Aitoloakarnania në Greqi, ku u kapën 1.2 ton drogë, si dhe u arrestuan 4 shqiptarë. Sipas CCN grek organizator i trafikimit të drogës ishte një shqiptar emri i të cilit është shumë i njohur në fushën kriminale.

Itinerari i ngarkesës prej 1.2 ton kokaine, ishte nga ishujt Vincent në Karaibe drejt pjesës lindore të Greqisë, ku ishte vendosur në disa dhoma me qira në një zonë të banuar të Astakos. Transportimi i drogës u bë me jaht, në të cilin u gjetën edhe kallashnikovë e pistoleta që u konfiskuan nga policia.

Nga Greqia, droga do të merrej nga persona të tjerë për ta çuar jashtë vendit.

Nga operacioni i kapjes së drogës në bashkëpunim me DEA-n amerikane u arrestuan 4 shqiptarë dhe 3 grekë, por nuk dihet ende nëse shqiptari që konsiderohet si koka e trafikut është mes të arrestuarve apo jo.

Greqia ishte planifikuar që të ishte ndalesa e parë e kokainës dhe më pas do të shpërndahej, një pjesë në Europën Veriore dhe pjesa tjetër në Afrikën e Veriut.

Operacioni ende nuk ka përfunduar, pasi në kërkim është shpallur një 42-vjeçar grek. “Autoritetet greke po bashkëpunojnë në hetime për rastin edhe me palën shqiptare dhe atë spanjolle” citojnë mediat greke burime nga autoritetet në Athinë.

Në shtator të vitit të kaluar u zbulua në portin e Pireut një tjetër sasie e madhe kokaine që ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Durrësin.

Ambasada në Ankara: S’ka shqiptarë të prekur

Ambasada shqiptare në Ankara ka bërë me dije se deri tani nuk është prekur asnjë shtetas shqiptar nga tërmeti me magnitudë 6.8 rihter që goditi Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Sipas ambasadës aktualisht janë 22 të vdekur, ndërsa nuk raportohet asnjë shtetas shqiptar të jetë mes tyre.

Tërmeti me magnitudë 6.8 i shkallës rihter goditi të premten në mbrëmje, provincën Elazig rreth 550 kilometra në lindje të kryeqytetit të vendit Ankarasë. Nga ky tërmet deri tani 22 persona humbën jetën. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Ankara bën me dije se deri tani nuk është identifikuar asnjë shtetas shqiptar nga efektet e këtij tërmeti. Ambasada shqiptare ne Ankara, se bashku me Konsullatën e Përgjithshme ne Stamboll janë të angazhuara dhe në gatishmëri të plotë për të ndihmuar dhe mbështetur të gjithë shtetasit shqiptarë që mund të jenë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Për çdo ndihmë dhe mbështetje janë në dispozicion numrat e mëposhtëm: Ambasada Ankara: 0090 312 441 61 0304, 0090 549 561 1985: Konsullata Stamboll: 0090 212 44 32 56”, shkruan Ambasada Shqiptare në Ankara.

Mbi 400 ekipe shpëtimi në Turqi vijojnë punën në zonat e prekura nga tërmeti për nxjerrjen e personave nga rrënojat në kushte të vështira të motit, ku temperaturat shënojnë  -7 gradë celsius. Deri më tani raportohet se janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat  39 persona dhe po kërkohet për persona të tjerë. Bilanci i viktimave raportohet se ka shkuar në 22 dhe 1031 kanë mbetur të plagosur si pasojë e tërmetit.

Mediat amerikane: Në vendin ku shpërtheu virusi vrasës zhvillohen armë biologjike

Epidemia e koronavirusit e ka origjinën në një laborator në Wuhan. Mediat amerikane shkruajnë se në laboratorët e Wuhan janë zhvilluar edhe armë biologjike ku studiohen rastet e viruseve të ndryshme për arsye kërkimore e zhvillimore.

Sipas Dany Shoham, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite, ekspert i luftës bakteriologjike, pikërisht në qytetin kinez ekziston një laborator i lidhur me programin sekret të armëve kimike të realizuar nga Pekini, i vetmi në vend që konsiderohet i sigurt për studimin e viruse vdekjeprurëse. Shoham shpjegoi për ‘Washington Times” se brenda institutit në Wuhan “armët biologjike ndoshta përdoren në planet kërkimore dhe zhvillimore”. Të dhënat e fundit flasin për 41 viktima në vend dhe rreth 1.300 raste të konstatuara, ndërsa ka shkuar në 13 numri i qyteteve të izoluara. Në Wuhan, epiqendra e epidemisë, janë dërguar 450 mjekë ushtarakë të cilët do të shpërndahen në spitalet e zonës. Një spital i ri do të ndërtohet në vatrën e epidemisë për të përballuar fluksin e të infektuarve dhe pritet të jetë gati në 10 ditë.

Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar një operacion për të evakuuar qytetarët amerikanë dhe diplomatët nga Wuhan. Ka rreth një mijë amerikanë në qytetin kinez, me të cilët ambasada po kontakton për të organizuar transportin ajror që do t’i çojnë ata në shtëpi.

I dënuar me 9 vite burg, arrestohet në Gjermani shqiptari i shumëkërkuar

Një 37-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim nga policia shqiptare, i dënuar për vjedhje me dhunë nën kërcënimin e armëve, është arrestuar në Gjermani.

I arrestuari quhet Elton Sako, i cili rezulton se ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol Tirana”, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 9 vite burg, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi Elton Sako, në bashkëpunim me shtetasit S. M., dhe L. M., në vitin 2012 kanë hyrë në banesën e shtetasit V. B., në rrugën “Qemal Stafa”, ku në banesë ndodhej vajza e mitur dhe nën kërcënimin e armëve dhe të maskuar kanë vjedhur një sasi bizhuterish.

Mësohet se pas informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Policisë Gjermane  u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 37-vjeçarit me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Negociatat me BE, Komisioneri për Zgjerimin: Mbështetje pa kompromis për Shqipërinë!

Tjetër sinjal pozitiv vjen nga Brukseli për Shqipërinë sa i takon çështjes së hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në BE. Olivér Várhelyi ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  duhet të anëtarësohen sa më parë në Bashkimin Europian.

Komisioneri i BE-së për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit e bëri këtë deklaratë gjatë një intervistë ekskluzive për televizionin hungarez “Hír TV”.

Várhelyi, i cili pak javë më parë ishte për një vizitë në vendin tonë, tha se qëllimi përfundimtar ishte integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, një rajon që gjithmonë i përket Evropës përgjatë historisë.

Pas marrjes së këtij posti të rëndësishëm, Komisioneri Oliver Várhelyi e nisi ditën e parë të punës duke u vendosur menjëherë kontaktet me Tiranën pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit për të mësuar sesi BE mund të ndihmonte për të lehtësuar pasojat e katastrofës.

I pyetur nga gazetari hungarez, Katalin Zöldhegyi, nëse mendimi i presidentit francez, Macron në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar krahasuar me vjeshtën e kaluar, Olivér Várhelyi tha se duhej të gjenden arsyet e refuzimit e jo ata që ishin përgjegjës.

“Situata duhet të adresohet dhe duhet të vendoset një paketë politike që do t’i lejojë këto vende të mbështesin hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë pa ndonjë kompromis për qëllimin përfundimtar, që është integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni më i afërt me Ballkanin Perëndimor duhet të jetë Evropa, ashtu siç ka qenë gjithmonë në histori”, theksoi Komisioneri i Zgjerimit të BE-së.

“Me gjithë dështimin në tetor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të aspirojnë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, theksoi Oliver Várhelyi.

Lajmi i mirë nga UEFA, shtohen shanset për klubet shqiptare në kupat e Europës!

Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë sot një lajm të mirë për të gjitha klubet dhe tifozët e futbollit shqiptar. Një lajm që vjen nga UEFA si rrjedhojë e ndryshimeve për formatet e kompeticioneve Liga e Kampionëve, Liga e Europës dhe Liga e Konferencës për sezonet 2021-2024.

Sipas qarkores së UEFA-s, ky format u jep klubeve shqiptare më shumë mundësi për të marrë pjesë në fazën e grupeve të kompeticioneve evropiane. Kjo do të ndikojë në motivimin e klubeve tona dhe angazhimin e tyre në arenën evropiane. Gjithashtu, kjo mund të ndihmojë klubet edhe nga ana financiare. Përmes këtij formati, të paktën 34 federata do jenë të përfaqësuara në fazën e grupeve, në një prej kompeticioneve.

Formati do të jetë me këtë strukturë:

· Liga e Kampionëve – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe -125 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

· Liga e Europës – 32 Ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

· Liga e Konferencës Europiane, – 32 Ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;

Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e 38-të të UEFA-s, ku nga përcaktimi i formatit të ri, në rast se vendi ynë do të vijojë të mbajë këtë vend në renditje, do të mund të përfaqësohemi me 4 ekipe, ku:

1. Ekipi kampion i Shqipërisë hyn në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve;

2. Fituesi i Kupës së Shqipërisë hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë; (në rast se fituesi i Kupës së Shqipërisë është i njëjtë me vendin e parë, të dytë ose të tretë, vendi kalon tek vendi i katërt në kampionat);

3. Vendi i dytë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë;

4. Vendi i tretë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në Raundin e Parë.

Sipas skemës së formatit të propozuar:

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Parë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Dytë të Ligës së Konferencës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Dytë të Ligës së Kampionëve, atëherë kalon në Raundin e Tretë të Ligës së Europës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë dhe play-off-et e Ligës së Kampionëve, respektivisht luan play-off ose kalon direkt në Fazën e Grupeve të Ligës së Europës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin e Tretë të Ligës së Europës, atëherë kalon ne Raundin play-off të Ligës së Konferencës;

· Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në Raundin Play-Off të Europa Ligës, atëherë kalon në Fazën e Grupeve të Ligës së Konferencës.

Kalendari, pavarësisht se planifikohet të mbahet ai i njëjti i kompeticioneve të klubeve UEFA, do të saktësohet në periudhën në vijim.

· Oraret e ndeshjeve do të jenë 18:55 dhe 21:00, e martë, e mërkurë dhe e enjte;

· E marta dhe e mërkura do rezervohet për Ligën e Kampionëve;

· Liga e Europës dhe ajo e Konferencës do i ndajnë ndeshjet në mënyrë të barabartë në dy oraret e të Enjtes;

· Për ndeshje që do luhen në zona mbi dy orë nga ora europiane do rezervohet orari 16:30.

· Nivelet e shpërndarjes financiare dhe pagesat e solidaritetit për klubet pjesëmarrëse do të komunikohen nga ana e UEFA-s në vijim, gjatë këtij viti.

Zbardhet urdhri, Veliu ndalon policët të përdorin celularët

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka nxjerrë një urdhër që u është shpërndarë të gjitha komisariateve të policisë në vend, përmes të cilit urdhëron ndalimin e përdorimit të celularëve gjatë orëve të punës për shkak se shpërqendrojnë vëmendjen dhe ulin rezultat e tyre në luftën kundër krimit.

Mendohet se ky urdhër i Veliut ka ardhur edhe për faktin se shumë të dhëna rreth ngjarjeve të rënda kriminale, kanë dalë në media.

“Nisur nga fakti se si gjatë shërbimeve ashtu dhe kur kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale në territory/sector, është konstatuar dhe evidentuar se është hequr dorë nga komunikimi në radio i punonjësve të policisë, si dhe në mënyrë të theksuar punonjësit e policisë gjatë shërbimit mbajnë me vete më shumë se një celular, shpërqendrojnë vëmendjen gjatë shërbimit duke kryer biseda të gjata në telefon, që nuk kanë lidhje me detyrën dhe shërbimin, shfrytëzojnë dhe komunikojnë në rrjetet sociale në kohë të zgjatur, etj. Me qëllim marrjen e masave për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ne territor, mbulimin dhe kontrollin e territorit në mënyrë sa më efektive, përqendrimin e vëmendjes dhe shfrytëzimin në maksimum të kohës së shërbimit vetëm për qëllim të realizimit të detyrës. Rritjes më tej atë cilësisë dhe shpejtësisë së reagimit të strukturave policore, dërgimin e menjëhershëm të informacionit në të gjitha shërbimet e kontroll territorit”, shkruhet në urdhrin e drejtorit të policisë.

Urdhri është firmosur në datën 20 janar dhe duke nisur pikërisht nga kjo datë të gjithë policët urdhërohen që të komunikojnë vetëm me radio dore dhe në mënyrë kategorike të mos mbajnë celularë me vete.

“Punonjësit e policisë të patrullave të përgjithshme, seksionit të forcës së posaçme “Shqiponja”, seksioni i patrullës së përgjithshme “Motorrist” si dhe gjithë njësitë operacionale të Rendit publik, duke filluar nga data 20 janar 2020, dhe vazhdim gjatë kohës së punës dhe shërbimit në mënyrë kategorike nuk duhet të mbajnë aparate celulare me vete.

Drejtuesit e punonjësit të policisë të këtyre shërbimeve, janë përgjegjës për zbatimin e këtij detyrimi, duke ushtruar kontroll në vazhdimësi gjatë kryerjes së instruktazhit, si dhe për ushtrimin e kontrolleve edhe gjatë orarit të punës dhe shërbimit”, shkruhet në urdhrin e drejtorit të policisë.

“Fëmijët janë nën rrënoja”, nxirren gjallë 43 persona

Pamjet e shpëtimit të personave nga rrënojat e tërmetit në Turqi kanë zënë hapësirën mediatike në mediat botërore por edhe në rrjetet sociale. Mbi 400 ekipe shpëtimi në Turqi kanë punuar gjatë gjithë natës  dhe vijojnë punën edhe gjatë të shtunës në zonat e prekura nga tërmeti kur temperaturat ishin në -7 gradë celsius.

Deri më tani raportohet se janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat  43 persona, ndërsa raportohet se të paktën vijojnë të jenë nën rrënoja edhe 17 persona të tjerë.

Një grua teksa apo nxirrej nga rrënojat bën me dije se kishte fëmijët e saj poshtë shkallëve të banesës së rrënuar. “Fëmijët e mi janë poshtë shkallëve shprehet ajo”- para punonjësve të ekip-shpëtimit.

https://www.instagram.com/p/B7vX4nAh3ZM/

Mediat turke kanë publikuar video nga bisedat mes banorëve që ndodhet nën gërmadhe me përfaqësues të ekipeve të shpëtimit.

“Azize të lutëm fol me të gjithë që janë aty. Thirri emrat të gjithëve dhe mos ler njeri të flejë gjumë. Ti je shpresa jonë e vetme aty”, shprehet pjesëtarja e ekipit të shpëtimit.

“Ke fëmijët aty, bëhu e fortë për ta. Thuaji të marrin frymë me hundë dhe ta nxjerrin me gojë. Rrini të qetë sepse ne jemi këtu sipër. Po punojmë për t’ju shpëtuar”, vijon ajo.

https://www.instagram.com/p/B7vVP-DB5mI/

Bilanci i viktimave raportohet se ka shkuar në 29 dhe 1031 kanë mbetur të plagosur si pasojë e tëmetit me magnitudë 6.8 të shkallës riter që goditi Turqinë mbrëmjen e së premtes.

https://www.instagram.com/p/B7u76A2nYGX/
Skip to toolbar