Që pas thirrjes në Komisionin e Posaçëm
Hetimor, kreu i shtetit, Ilir Meta ka nisur një lëvizje “flirtuese” me
mazhorancën, duke lëshuar batuta si për kryeministrin, kryetarin e kuvendit,
por edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të PS, ku nga njëra anë duket si një “hakmarrje”
ndaj Bashës, i cili nuk i njohu 13 tetorin dhe që kërkon të afrohet sërish nga
e majta, ndërsa nga ana tjetër si një blof i Metës për të zbutur disi
përplasjet me partinë në pushtet, e cila nuk ka nguruar dhe që prej 30
qershorit e cilëson “President në detyrë”
Lëvizja taktike e Metës u vu re që në paraqitjen
e tij në Komisionin Hetimor, i cili, më shumë se të jepte argumente për
mbrojtjen e vet, ai u përgjigj sipas dëshirës, ndonjëherë pa iu përmbajtur
aspak pyetjeve të drejtuara nga ana e deputetëve, por që nuk pati asnjë shpërthim
akuzues, siç ka ndodhur rëndom në daljet e tij publike, pas mosnjohjes së
dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Gjithçka e nisi me deputetin Bashkim Fino, i
cili është anëtar i Komisionit të Posaçëm Hetimor, por edhe anëtar i Komisionit
të Ligjeve. Një ditë më herët, gjatë rrëzimit të dekretit të Metës, i cili
kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e ligjit për qeverisjen
vendore, Fino pati deklaruar se në argumentet që kishte përdorur Presidenti,
dukej se ai kishte inat personal me relatorin e ligjit (që në këtë ligj ishte vetë
deputeti i mazhorancës), më shumë se me ato çfarë janë shkruar për ndryshimet
ligjore. Këtë deklaratë duket se e kishte lexuar mirë Meta dhe gjatë një
pyetjeje të drejtuar nga Fino në Komisionin Hetimor, kur i tha nëse qeveria
socialiste do të votonte për shkarkimin e tij, a do e respektonte ky i fundit
këtë vendim, kreu i shtetit e shfrytëzoi kohën për të marrë disi me të mira deputetin
e mazhorancës. “Kam marrë vesh nga mediat se keni një perceptim se mendoni se
kam një problem personal me ju. Jo s’kam asgjë me ju. Pse nuk mendoni ju për
vendimet e mia, për rolin tim si president. Pse duhej nxituar aq shumë? Për të
bërë zëvendësime në bllok?”, iu drejtua Meta.
Por ky nuk ishte i vetmi “flirtim” i Metës, pasi
një veprim zbutës, kreu i shtetit e bëri edhe me Kryetarin e Kuvendit Gramoz
Ruçi. Një ditë pasi u paraqit në Komisionin e Posaçëm Hetimor në Kuvend për
shkarkimin e tij, Ilir Meta ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku Meta
shfaqet në një takim me Gramoz Ruçin, ndërsa në sfond është dhe Kryeministri
Rama. Në komentin e fotos, Meta shkruan se, pas dëshmisë në Komisionin Hetimor,
kishte takuar Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, me të cilin, sipas tij, kishte
diskutuar se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ato të
vitit 1991/92 dhe `92-`96.
Megjithatë, Presidenti meta nuk e ndaloi “flirtimin”
me kaq. Të mërkurën në konferencën para gazetarëve, ai hodhi dy mesazhe të
tjera ndaj mazhorancës. I pyetur nga gazetarët për deklaratën e deputetes Mimi
Kodheli se Komisioni i Venecias tashmë e ka gati opinionin dhe rekomandimin për
kushtetutshmërinë e dekreteve për zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenti Ilir
Meta e kaloi me batuta, duke u shprehur “Zonjën Kodheli e kam shumë për zemër
dhe e kam uruar për ditëlindjen, kështu që urojeni edhe ju se është shumë e
sjellshme me ju”, tha Meta.
Por, pasi Meta u bëri elozhe përfaqësuesve, la
edhe një mesazh për kryeministrin Rama. Kur u pyet nëse ndihej sadopak xheloz
që lideri demokrat Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama mund të duken të
sinkronizuar sa i përket shpresave që Shqipëria më 18 tetor të arrijë të hapë
negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Meta tha se nuk është aspak
xheloz dhe se nëse arrihet të caktohet një datë, atëherë do të dekorojë kryeministrin
Edi Rama. “Unë i jap dekoratë Edit më 18 tetor vetëm të hapen negociatat, siç u
dha ai dekoratave ambasadorëve vjet në qershor. Z Basha nuk i jap dekoratë
sepse ka braktisur institucionet, as Monikës se i ka dhënë besën Bashës”, përfundoi
Meta batutën e tij, të cilën e përdori edhe për mbylljen e konferencës para
gazetarëve.
Me këto deklarata, Meta duket qartë se ka një qasje të re ndaj mazhorancës, ku në pamje të parë të jep përshtypjen e një “flirtimi” me ta, por mund të jetë edhe një blof që ai po luan për përçarjen e tyre për çështjen e shkarkimit, ndërsa po afron dita e vendimit për hetimin e kryer ndaj tij për shkelje të Kushtetutës. / Realstory.al/