Dekreti i 13 tetorit, Meta pranon shkeljen e afateve zgjedhore

POLITIKË


Kreu i shtetit për herë të parë ka pranuar shkeljen e afateve kushtetuese me dekretin e 13 tetorit, duke dashur të dalë nga situata se nuk ka bërë asnjë shkelje tjetër me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Këtë fakt, kreu i shtetit e ka pranuar hapur para konferencës para gazetarëve, ndërsa shpjegonte sipas tij qetësinë para Komisionit të Posaçëm Hetimor. “E vetmja shkelje që mund të jetë me dekretin për zgjedhjet është se 13 tetori është jashtë afateve, ato të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, por nuk është shkelje kushtetuese tha Meta. Megjithatë, afatet ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor deklarohet se janë afate kushtetuese. Pikërisht në nenin 109 të Kushtetutës deklarohet se “organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë”, por që me dekretin për 13 tetorin, meta ia ka zgjatur afatin 4 vjeçar përfaqësuesve të Pushtetit Vendor.

Presidenti Ilir Meta u pyet nga gazetarët për qetësinë që e karakterizoi përballë Komisionit të ngritur për hetimin e tij. “Unë jam gjithmonë i qetë dhe artikuloj me forcë. Kështu që nuk kisha asnjë arsye përse të sillesh ndryshe në këtë komision. Kam qenë dhe do jem shembulli i qetësisë. Sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës është vënë në pikëpyetje. Ka qenë një mundësi për të gjithë për të kuptuar se presidenti i Republikës ka respektuar kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, tha Meta.


Presidenti Ilir Meta tha se nuk ka bërë çdekretim, pasi sipas tij ky është një term ligjor që nuk ekziston. Kreu i shtetit tha se ka shfuqizuar dekretin e tij, një e drejtë dhe praktikë që sipas tij e ka edhe kuvendi edhe qeveria për ligje e vendime që i shfuqizon. Ndërsa foli për një shtet propagandistik të qeverisë dhe një shtet të së drejtës ku ai u shpreh se bën pjesë, Meta tha se nga ana tjetër, Komisioni i Venecias është një institucion i rëndësishëm që do të marrë vendim jashtë propagandës./Realstory.al/




Skip to toolbar