Ministria e Mbrojtjes: Shumica e shtëpive të shembura janë të pabanuara

Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një tjetër informacion të përditësuar në lidhje me situatën në Korçë dhe fshtrat përreth, pas tërmeteve që kanë rënë gjatë natës.

Ministria njofton se janë rreth 70 banesa të dëmtuara, që kanë pësuar shembe çatie, shembje suvash dhe çarje të mureve, kryesisht në fshatin Floq dhe Dvoran.

Ndërkaq shumica e shtëpive të shembura janë të vjetra dhe të pabanuara, por është ngritur një komision që po vlerëson situatën në terren.

Informacioni i plotë i Ministrisë:

Më datë 01.06.2019, në territorin e qarkut e Korçë janë regjistruar disa lëkundje tërmeti duke filluar nga ora 06:20 (GTM) deri në orën 09:00. Epiqendra e lëkundjeve ka qenë fshati Floq i bashkisë Korçë. Nga informacioni i marrë deri tani nga Prefektura Korçë, Policia e Shtetit  dhe nga Spitali Rajonal i qytetit Korçë informohemi:

Banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatin Floq dhe Dvoran janë 70 banesa. 50 banesa janë të vjetra dhe të pa banuara prej shumë vitesh.

Në fshatin Qafëzezë janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa.

Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra.

Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar.

Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, informohemi se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.

Është komunikuar me QBO-në në ministrinë e Mbrojtjes për të vënë në dispozicion Detashmentin e Korçës në ndihmë të banorëve për montimin e çadrave që do të shkojnë nga DPRMSH si dhe një autobot me ujë të pijshëm. Janë marrë masa edhe për furnizimin e banorēve me ushqime.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është në gatishmëri dhe po ndjek hap pas hapi çdo situatë duke komunikuar me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të kaluar sa më shpejtë këtë situatë të krijuar.

Prefekti i Korçës: Tërmeti ka dëmtuar rreth 60 shtëpi

Në një lidhje direkte për Report Tv, prefekti i qarkut të Korçës, Dhori Spirollari bëri të ditur se si pasojë e tërmeteve të një pasnjësme të natës së të premtes, janë dëmtuar gjithsej rreth 60 shtëpi në Korçë dhe fshtrat përreth saj.

Për shkak të situatë së rënduar, Emergjencat Civile do të dërgojnë tek banorët e Floqit 40 çadra për familjet, të cilat tashmë kanë humbur shtëpitë për shkak të tërmetit.

Po kështu si pasojë e tërmeteve janë lënduar 4 persona që kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin rajonal.

Epiqendra e tërmeteve me magnitudë mbi 5 ballë të shkallës rihter u regjistrua në fshatrat Floq e Mollas.

Alibeaj i përgjigjet Ramës për letrën dhe bën thirrje për protestë

Ish deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i akuzuar për dhunë ndaj policisë në protestën e shkurtit të opozitës, ka reaguar në lidhje me letrën e 7 publike të kryeministrit Rama.

Ai e cilëson të turpshme dhe mediokre letrën e Ramës, ndërsa thekson se kreu i qeverisë kërkon me çdo kusht të mbajë pushtetin.

Në përfundim Alibeaj i bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës që do të zhvillohet ditën e diel.

Postimi i Enkelejd Alibeajt në Facebook:

Ndërsa po shihja nëpër rrjetet sociale, se cili nga qeveria ka shkuar në Korçë, për t’iu gjendur pranë banorëve që po kalojnë momente ferri nga tërmeti që goditi këtë zonë,

Kur prisja ndonjë reagim për megaaferën e rrugës Milot-Balldren, që do të marrë nga xhepat e shqiptarëve, plot 16 milion euro për km,

Kur po prisja një plan pune për lajmin mbi dështimet e qeverisë që sollën vendimin e tmerrshëm që erdhi nga Holanda për rikthimin e vizave,

Kur prisja ndonjë sqarim për shembjen e tunelit në rrugën e Arbërit

Kur prisja ndonjë reagim për kriminelët që ka përfshirë në listat e kandidatëve me të cilët po shantazhon shqiptarët me zgjedhje të parablera,

Kur prisja ndonjë reagim për vitet e burgut që duhet të bëjë Vangjush Dako, Damjan Gjiknuri, Pjerin Ndreu e dhjetra zyrtarë të tjerë të kapur në shitblerje votash, pashë një letër mediokre, të turpshme, të Edi Ramës që kërkon me çdo kusht dhe çdo çmim, të mbrojë karrigen e tij si garanci për të mbrojtur milionat e krimit dhe korrupsionit.

Edi Rama mendon se do të gjunjëzojë popullin me presion me shantazh me kërcënim e nga ana tjetër të vazhdojë ta vjedhë e varfërojë.

Kjo kohë ka mbaruar.

Populli është në këmbë, kundër pushtetit të ardhur nga krimi e nga vota e blera për të vjedhur e grabitur Shqipërine.

Nesër ora 19.00 së bashku para Kryeministrisë për #Shqipëria

“Të punojmë për të ardhmen e fëmijëve”. Mesazhi i Metës për 1 qershorin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot paradite në presidencë nxënës me rezultate të shkëlqyera në mësime nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e Festës së tyre, 1 Qershorit.

Presidenti Meta dhe të pranishmit e shumtë ndoqën koncertin e festiv me këngë e valle nga muzikantët e vegjël të Ansamblit “Shqiponja” dhe recitime kushtuar 1 Qershorit nga vogëlushët dhe vogëlushet e talentuara.

Presidenti i Republikës theksoi se: “Mbështetur në ëndrrat shumëngjyrëshe të fëmijëve, çiltërsinë dhe dashurinë e tyre të pamatë, të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen e tyre në një Shqipëri të vërtetë europiane”

Kreu i Shtetit shprehu urimet më të përzemërta e të ngrohta për të gjithë fëmijët shqiptarë, por dhe për prindërit e mësuesit dhe edukatoret tyre në këtë ditë të gëzueshme si dhe shpërdau certifikata nderi për disa nga nxënësit, që morën pjesë si sipërmarrës të vegjël në projektin “Biznesi im” të  Shkollës “Hasan Koçi”, në Shkozet të Durrësit.

Vasili publikon videon e Ramës në 2006, por pse situata sot është ndryshe dhe zgjedhjet nuk shtyhen

Në një konferencë për shtyp, ish deputeti i LSI-së, Petrit Vasili publikoi një video të kryeministrit Rama në vitin 2006 kur kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 20 janarit 2007.

Në video Rama shfaqet duke deklaruar se: “Kushtetuta nuk është tabu. Është një qenie e gjallë, mund të ndryshojë kur palët bien dakord”.

Referuar kësaj deklarate Petrit Vasili u shpreh në konferencën e së shtunës se në 2019 Rama nuk i shtyn zgjedhjet sepse nuk do zgjedhje.

“Rama nuk do të bëjë zgjedhje. Modelin e PS që nuk bën zgjedhje do t’ua imponojë shqiptarëve. Ai ka vetëm një synim. Kërkon që në Shqipëri të ketë monizëm. Të ketë votime, por jo zgjedhje”, u shpreh Vasili.

Por pse situata nuk është e ngjashme me vitin 2007 dhe pse sot nuk mund të shtyhen zgjedhjet.

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2007 u shtynë me afro një muaj nga 20 janari

2007, data e dekretuar fillimisht nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Pas një periudhe të zgjatur të përplasjeve politike midis dy poleve kryesore politike, më në fund më 12 janar u gjet një zgjidhje politike e krizës, që mundësoi të nesërmen miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor. Më 14 janar, Presidenti Moisiu rishpalli datën e zgjedhjeve për më 18 shkurt.

Në atë kohë nuk ishte e përcaktuar në Kushtetutë periudha zgjedhore. Më vonë me ndryshimet që u miratuan në Kushtetutë në Shqipëri u përcaktuan dy periudha të qarta zgjedhore. Kështu sipas Kodit Zgjedhor data e zgjedhjeve në Shqipëri është e përcaktuar në nenin 8 të tij. Pra zgjedhjet në Shqipëri mund të zhvillohen në dy periudha zgjedhore, konkretisht nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor.

Pra në 2007 megjithëse u shtynë zgjedhje, çdo veprim ishte në përputhje me kushtetutën dhe nuk u shkel asnjë nen i saj. Ndërsa tani, në rast se shtyhen zgjedhjet përtej datës 30 qershor, jo vetëm shkelet kushtetuta por edhe të administrata vendore kthehet në kaos për shkak se të zgjedhurve vendor u përfundon mandati në gusht.

https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/879129675761569/

Ruçi: T’i mbrojmë fëmijët nga pabarazia dhe kurthet e teknologjisë

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar fëmijët  me rastin e 1 qershorit. Ai ka përcjellë një mesazh për fëmijët, shoqëri të drejtë dhe politikë të sinqertë.

Ruçi thotë se dija është shtegu drejt mirëqenies së fëmijëve dhe bën thirrje për mbrojtjen e tyre nga rreziqet e pabarazisë dhe kurthet e teknologjisë.

“Të mbrojmë fëmijët nga rreziqet e pabarazisë. Të mbrojmë fëmijët nga kurthet e teknologjisë”, shprehet Ruçi.

Aksident në Berat, shoferi humb kontrollin, makina bie në kanal

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në rrugën Berat-Poshnje në Moravë.

Raportohet se një automjet tip “Wolsvagen” me drejtues shtetasi A.H, 39 vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dal nga rruga.

Si pasojë e aksidentit shoferi ka marrë lëndime dhe është dërguar menjëherë për mjekim në  Spitalin Rajonal Berat. Sipas mjekëve dëmtimet janë të lehta, ndërkohë 39-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Basha fton shqiptarët në protestë, asnjë përgjigje për letrën e Ramës

Ndërsa Partia Socialiste nis të shtunën pasdite zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 30 qershorit, PD bëhet gati për protestën e së djelës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha postoi në facebook një video përmes të cilës fton shqiptarët t’i bashkohen protestës së opozitës.

“Asnjë hap pas për çlirimin e vendit nga e keqja!  Nesër në ora 19:00 të gjithë në shesh! #2qershor #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Basha, mbi videon ku me shifra tregon arsyet pse duhet protestuar.

Më herët, kryeministri Rama postoi një letër të shtatë publike, por këtë herë drejtuar demokratëve dhe jo Bashës.

Në këtë letër kryeministri bënte të ditur se rruga e ndjekur nga lidershipi i PD-së është e gabuar dhe e gjitha vjen vetëm sepse Basha ka frikë nga humbja në zgjedhje dhe nga drejtësia.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1883555865079955/

“Vetëm fëmijët mund të na detyrojnë të ngrihemi mbi interesat partiake”. Urimi me politikë i Kryemadhit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka postuar në facebook urimin e saj për fëmijët me rastin e e qershorit, ku sigurisht jep dhe mesazhe politike.

Kryemadhi shkruan se vetëm fëmijët mund të detyrojnë që liderët të ngrihen mbi interesat partiake. Ajo shkruan se shumë familje e kanë mbyllur muajin vetëm me 5 dollarë në ditë pa patur mundësinë t’i blejnë një dhuratë fëmijëve, ndërsa kujton se shumë fëmijë janë nxjerrë me dhunë jashtë banesave të tyre të Bregu i Lumit apo te Astiri. Kryemadhi gjithashtu përmend edhe integrimin evropian, si një aspiratë të cilët fëmijët shqiptarë e meritojnë, por shton se për hir të fëmijëve ia vlen të luftosh deri në fund

Postimi i Kryemadhit në Facebook:

1 Qershori është dita kur jeta merr kuptimin real, kur gjithsecili nga ne kupton se ia vlen të luftosh deri në fund, për të ardhmen e asaj pjese të shoqërisë që me sinqeritetin më të madh meriton mbështetje, siguri dhe dashuri të pakursyer!

Sot është dita e parë e muajit, nuk e di se si e kanë mbyllur muajin që lamë pas 300,000 mijë familje shqiptare të cilat jetojnë me vetëm 5 dollarë në ditë. A e kanë pasur të mundur ti blejnë një dhuratë sa do të vogël fëmijëve për ti sjellë një shkëlqim lumturie në sytë e tyre?

Është dita e fëmijëve që na kujton sesa pak kemi kthyer sytë nga realiteti, sa kemi gabuar për t’i besuar njerëzve që abuzojnë çdo ditë në emër të tyre. Kemi lejuar dhe kemi qenë dëshmitarë të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve tanë, të nxjerrjes nga shtëpitë me dhunë të dhjetëra fëmijëve te “Astiri”, “Bregu i Lumit” dhe në gjithë Shqipërinë. Lejuam të hidhej gaz mbi fytyrat e ëmbla të dhjetëra fëmijëve në protestë, duke u përballur me urrejtjen e këtij pushteti të krijuar nga ne!

Shifrat alarmante të UNICEF për minorenët shqiptarë të braktisur në dyert e Europës, pamundësia që kanë prindërit sot për të strehuar fëmijët e tyre, për t’i ushqyer, ngrohur, arsimuar e për t’u kujdesur për shëndetin e tyre, tregon qartë qeverisjen e paskrupullt dhe të paaftë që i bëhet një kombi dhe të ardhmes së tij!

1 Qershori është dita e ndërgjegjësimit, e zgjimit të çdo nëne dhe çdo babai për fëmijën e tij. 1 Qershori është dita e integrimit europian që aspirojmë aq shumë, sepse vetëm fëmijët janë ata që mund të na detyrojnë të lëmë me një anë interesat e ngushta partiake dhe të pushtetit për interesat kombëtare!

Gëzuar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve të çdo shqiptari kudo që ata ndodhen. Dua ti uroj 1 qershorin veçanërisht të gjithë atyre fëmijëve qe baballarët e tyre i kanë të burgosur nga ky regjim për të vetmen arsye sepse kanë protestuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre!

1 Qershori nuk mund dhe nuk duhet të jetë dita e zhgënjimit të fëmijëve sepse duke zhgënjyer ata, kemi zhgënjyer të gjithë kombin! Kjo duhet dhe do të jetë dita e shpresës për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë se Shqipëria do të ngrihet, do të forcohet sepse brenda saj ka një brez plot jetë, plot energji te i cili shpresa nuk vdes kurrë! Zoti i bekoftë fëmijët e shqiptarëve dhe familjet e tyre. Zoti e bekoftë Shqipërinë!

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/photos/a.1209690485810358/2145195848926479/?type=3&theater

Ministrja e Arsimit merr nismën: Një parlament i tërë vetëm për nxënësit

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka marrë pjesë një aktivitet festiv të organizuar në sallën e amfiteatrit të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë para dhjetëra nxënësve, mësuesve e drejtuesve të shkollave 9-vjeçare e të mesme të ardhur nga të gjitha bashkitë e vendit.

Në këtë aktivitet Shahini prezantoi nismën më të fundit që është krijimi i parlamentit të nxënësve.

Ajo tha se parlamenti do të krijohet në shtator me nisjen e vitit të ri shkollor.

Teksa nënvizoi se zgjedhjet e para të këtij parlamenti do të bëhen në vjeshtën e ardhshme me fillimin e vitit të ri shkollor, gjatë këtij aktiviteti themelues u ngritën edhe disa prej temave kryesore të reflektuara prej vetë të pranishmëve, si janë kujdesi për shëndetin mendor të nxënësve; lufta kundër bullizmit dhe përfshirja më e madhe e nxënësve në proceset e vendimmarrjes.

Në fokus primar të “Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë”, i cili do të shërbejë si një organ këshillimor pranë MASR, është zhvillimi dhe thellimi i çdo lloj politike që synon drejtëpërdrejtë përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritja e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimi i shtuar i tyre në vendimmarrje.

Skip to toolbar