Nga Frankfurti ku kombëtarja është duke vijuar pjesën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Islandës, këtë të hënë kanë folur në konferencë për shtyp dy lojtarë të ekipit tonë kuqezi. Sulmuesi Bekim Balaj dhe mbrojtësi Frederic Veseli kanë komentuar dy përballjet e radhës për kualifikueset e Euro 2020.
“Çdo gjë po shkon mirë dhe po përgatitemi maksimalisht. Jemi të fokusuar dhe duam rezultate të mira në dy ndeshjet e ardhshme. Gjërat kanë ndryshuar, kemi një trajner i ri dhe metodë të re pune. Është e kuptueshme se në çdo ekip ndodh diçka e tillë kur ndërrohen trajneri. Jemi të gatshëm dhe duhet të bëjmë mirë”, ka thënë Bekim Balaj.
Frederic Veseli ka folur për objektivat e ekipit në këto dy ndeshje, duke u shprehur se me gjashtë pikë do të kënaqeshin, por kjo mbetet vetëm një dëshirë.
“Më 6 pikë në dy ndeshje do të ishim të kënaqur, kjo është e sigurt, por në futboll është e vështirë të fitosh në çdo ndeshje. Qëllimi ynë është të jemi të përqendruar në ndeshjen e parë, të bëjmë një paraqitje pozitive në ndeshjen e parë të trajnerit të ri, më pas të shohim. Sigurisht qëllimi është që të fitojmë”, tha Veseli.
Sekma e re që do të përdor trajneri Reja, është ajo me tre mbrojtës, pesë mesfushor dhe dy sulmues, për këtë Bekim Balaj shprehet se e rëndësishme është që skuadra të japë më të mirën.
“Reja e ka hedhur si opsion skemën 3-5-2. Nuk kemi menduar vetëm këtë modul. Po shohim opsione dhe lojtarë të ndryshëm. E rëndësishme për ne është të japim më të mirën. Kemi luajtur me 1 sulmues, por misteri ka hedhur opsionin të luajmë me dy. Bashkëpunimi dhe mundësia për të shënuar do të jetë më e madhe. Ne jemi për interes të përbashkët, që të arrijmë maksimumin. Ardhja e Cikalleshit i bën mirë ekipit dhe na ndihmon për arritjen e objektivave”, ka thënë Balaj.