Reja firmos për katër vite, kualifikimi në europian kusht i FSHF

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, thirri të hënën në një mbledhje të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të futbollit. Në mbledhje ishte dhe trajneri i ekipit A, Edy Reja.

Veç analizës së punës së ekipeve kombëtare, Reja ishte dhe për një arsye tjetër, rinovimin e kontratës. Ai konfirmoi se rinovimi ishte qëllimi kryesor i takimit të tij me Armand Dukën, por nuk tha nëse kishte firmosur, duke u shrpehur se “s`kemi nevojë për letra”.


Megjithatë, të hënën pasdite gjithçka është mbyllur. Duka dhe Reja kanë hedhur firmat në letra, ndërsa termat financiar nuk kanë ndryshuar. Reja do të jetë trajner i kombëtares edhe për katër vitet e ardhshme.

Balkanweb mëson se trajnerit i është vendosur objektiv kualifikimi në Europianin e ardhshëm, ndërsa për kualifikueset e botërorit nuk është vendosur asnjë objektiv.

Ndërkohë, trajnerit Edy Reja i është kërkuar gjithashtu të ketë nën monitorim edhe ekipet kombëtare të moshave. Kontrata e trajnerit Reja skadoi në 20 nëntor të këtij viti, pas përfundimit të eleminatoreve të Kampionatit Europian të 2020.


Reja mohon Napolin: Rinovimi me Shqipërinë? S`kam nevojë për letra

Trajneri Edy Reja ishte të hënën në Tiranë, ku së bashku me trajnerët e kombëtareve të moshave, zhvilluan një takim me Presidentin e FSHF-s, Armand Duka. Reja ende nuk ka firmosur zyrtarisht kontratën e re me FSHF për të drejtuar kombëtaren, pavarësisht se akordi është arritur në parim.

Megjithatë, mungesa e firmës në letër, bëri që në mediat italiane, Reja të lakohej si një emër i mundshëm për të zëvendësuar Ancelottin te Napoli. Por tekniku 74-vjeçar sqaroi për mediat të hënën se nuk ka pasur asnjë kontakt nga Napoli. Ai tha se shkon shpesh në atë qytet, pasi ka miqësi me shumë njerëz përfshirë dhe presidentin e klubit, por nuk ka pasur asnjë bisedë për të marrë drejtimin e klubit të Napolit.


“Në Napoli unë kthehem gjithmonë. Sepse më presin shumë gjëra të bukura, kam shumë miq, madje kam raporte të mira me presidentin, qyteti më pëlqen shumë”, tha Reja. Ndërkohë, takimi i të hënës me Presidentin Duka, kishte në fokus rinovimin e kontratës. Edy Reja pranoi se ishte folur në takim për rinovimin, ndërsa tha se “nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime”.

“Është e vërtetë që takimi i sotëm, ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra dhe shkrime. Kemi folur praktikisht, sepse akordin është gjetur prej kohësh. Sot, jam së bashku me kolegët e mi të kombëtareve të moshave për të folur me Presidentin Duka dhe për të dëgjuar nëse ai është është i kënaqur nga ne apo jo. Kam darkuar me të dhe besoj se ai do bëjë gjërat e mira dhe konkrete”, tha Reja.


Mediat italiane: Edy Reja trajner i Napolit?

Napoli po kalon një moment të vështirë në Serie A në Itali. 20 pikë në 14 javë dhe vendi i 7-të në renditje, rrezikojnë jo pak pozitat e trajnerit Ancelotti. Madje, të enjten, mediat sportive italiane kanë përmendur edhe emrat e mundshëm për të zëvendësuar trajnerin aktual të Napolit.

Cesare Prandelli dhe Edy Reja, janë dy trajnerët e lakuar si kandidatë të mundshëm. Reja e njeh mirë ambientin në këtë ekip dhe shihet si një mundësi. Për më tepër, tekniku 74-vjeçar ende nuk ka firmosur kontratë me FSHF-në për të vijuar bashkëpunimin, pavarësisht se marrëveshja është arritur në parim.


Ndaj dhe mediat duket se po sponsorizojnë Rejën te Napoli. Trajneri ende nuk ka reaguar në lidhje me lajmet. Por kolegu i tij, Cesare Prandelli përgënjeshtroi gjithçka. Prandelli dhe Reja janë përmendur në të njëjtim shkrim nga media pranë klubit të Napolit.

Por Cesare Prandelli është shprehur se lajmet e shpërndara në media janë të pavërteta. Ai thekson se në të shkuarën ka pasur bisedime me presidentin De Laurentis, por aktualisht nuk ka asnjë interesim.


“Trajneri më i vjetër në qarkullim”, Reja tregon objektivat me Shqipërinë

Edy Reja, zbuloi për mediat italiane, se rinovoi kontratën me Shqipërinë. Në një intervistë dhënë të enjten, 74-vjeçari është shprehur se aventura në krye të kombëtares së Shqipërisë i jep entuziazëm. “Jam rikthyer nga fluturimi në Tiranë-Romë, pastaj Trieste dhe prej andej në Gorizia, te shtëpia ime. Jam i kënaqur, kjo aventurë në Shqipëri më jep entuziazëm të madh”, thotë trajneri i kuqezinjëve. Ai shton se projekti i katër viteve të ardhshme në krye të kombëtares shqiptare është i madh dhe një sfidë e bukur.

“Ekziston dëshira për ta bërë këtë punë. Të njoh, të mësoj, të jap përvojën time. Kjo është një sfidë e bukur, ka një projekt të madh, i cili nuk ka të bëjë vetëm me pjesën teknike të Kombëtares, por do të më përfshijë, me stafin tim, në gjthë zhvillimet e futbollit shqiptar”. Më tej, trajneri Reja shprehet se është i kënaqur që do të jetë trajneri më i vjetër në qarkullim. “Mosha është ndjenjë, është diçka që ndjen, kjo varet nga mënyra se si je. Sidoqoftë, nëse jam trajneri më i vjetër në qarkullim, jam i kënaqur”, thotë 74-vjeçari.


Trajneri zbulon dhe objektivat që ka me kombëtaren shqiptare në katër vitet e ardhshme. Reja thotë se do të synojë kualifikimin në Kupën e Botës, por objektivi kryesor është kualifikimi në Europianin e vitit 2024. “2022 është shumë larg. Më tej akoma është 2024, Evropiani, që është objektivi i vërtetë i kombëtares. Jam i interesuar të ndërtoj një rrugë të sigurt, e ndiej shumë këtë përgjegjësi. Nga Europa kualifikohen 13 vende në Kupën e Botës 2020. Ne do të bëjmë gjithçka dhe do të luftojmë me forcën tonë. Por nuk po mendojmë për objektivat, por po ndërtojmë diçka të re”, është shprehur Reja.

Në fund të intervistës së tij, Edy Reja, duke përshkruar përvojën e tij në Shqipëri, tregon se shqiptarët më shumë besojnë italianët se veten. “Ndihem shumë mirë, është një vend i gjallë, i banuar nga njerëz që kanë një respekt të lartë për ne italianët. Unë do të thoja që shqiptarët besojnë më shumë te ne sesa besojnë vetveten”.


Marrëveshja në parim, Reja pranon kontratën e FSHF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe trajneri Edy Reja kanë arritur në parim marrëveshjen për të vijuar bashkëpunimin. Të martën, palët, trajneri Reja dhe drejtues të FSHF-s, zhvilluan një takim që zgjati disa orë për të diskutuar detajet e kontratës. Nga ajo që mësoi Realstory.al, FSHF i propozoi trajnerit Reja një kontratë 4-vjeçare, por tekniku italian refuzoi një bashkëpunim kaq të gjatë. Shkak, sipas burimeve, ishte mosha e madhe e trajnerit. Megjithatë, në përfundim të takimit duket se doli “tym i bardhë”.

Federata dhe Edy Reja kanë arritur në parim të vijojnë bashkëpunimin, ndërsa kontrata pritet të jetë 4-vjeçare, çka lë të kuptohet se Reja është tërhequr nga kushti i tij për të mos nënshkruar më shumë se dy vite me Shqipërinë. Ndërkohë, Presidenti i FSHF-s, Armand Duka në një ndërhyrje live në emisionin “Punto Nuovo sport Show” në Radio Punto Nuovo në Itali, është shprehur se trajneri nuk rrezikon, pavarësisht rezultateve në ndeshjet e fundit.


“Do të isha i kënaqur nëse do të ishimin kualifikuar, por futbolli ky është. Ne bëmë mirë në disa ndeshje, më pak në të tjerat. E filluam keq me Turqinë në shtëpi, s`patëm fat në transfertë. Nuk patëm përqëndrimin e duhur në të gjitha ndeshjet. Reja nuk rrezikon asgjë. Ai ka bërë punë të mirë. Me siguri ka pjesën e tij të gabimeve, si të gjithë ne. Ndaj Andorrës u desh të bënim më mirë, e nënvlerësuam, por Reja nuk rrezikon”, u shpreh Duka.

Ndërkohë, për gazetën Panorama Sport, presidenti i FSHF-s është shprehur se marrëveshja do të finalizohet së shpejti. “Nuk kemi akoma një marrëveshje, por kjo nuk do të thotë që nuk do të finalizohet me sukses në të ardhmen”. Dy ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të mësuar gjithçka ka ndodhur për arritjen e marrëveshjes mes FSHF dhe trajnerit Edy Reja.


Reja, gati plani i “shqiponjave” kundër “gjelave”

Trajneri i kombëtares, Edy Reja foli pasditen e të shtunës në konferencë për mediat, një ditë para përballjes së fundit në grup ndaj Francës. Reja u shpreh se takimi i së dielës është deçiziv, por sipas tij i di pikat e dobëta të Francës. Këshillën e ka me mbrojtjen, repartin që u “përgjumë” të enjten në “Elbasan Arena” kundër Andorrës.

“Nuk mendoj se situatat taktike janë deçizive. Deçiziv janë protagonistët dhe ajo që ata japin në fushë. Përsa i përket Roshit, ai luan gjithmonë në krah në majtë apo të djathtë. Për të nuk është gjë jo e natyrshme. Ne kemi shanset tona ndaj Francës dhe çdo lloj kundërshtari. Dimë se ku Franca do na vendosë në vështirësi, por dimë dhe ku ne ta vëmë në vështirësi Francën. Duhet të luajmë mirë në mbrojtje dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen përballë tyre”, tha trajneri.


Në takimin e së dielës, kuqezinjtë zbresin në fushë me disa mungesa të rëndësishme. Por trajneri Edy Reja beson se ka lojtarët e duhur për t`i zëvendësuar. Sipas tij, i gjithë grupi ka kualitet, ndërsa tregon se Franca nuk është ekip i pathyeshëm, duke pohuar se ka përgatitur dhe planin e tij për të mundur “gjelat”.

“Kemi katër lojtarë që mungojnë. Cikalleshi, Abrashi dhe Xhaka për problemet muskulore. Por ky kontingjent lojtarësh na mundëson të kemi alternativa shumë të vlefshme për të zëvendësuar lojtarët që janë dëmtuar. Ata që do zbresin në fushë do jenë gati të përballojnë ndeshjen. Franca është ekip i fortë dhe kampion bote, por jo i pathyeshëm. Kemi planin dhe strategjinë tonë, që besoj ta shohë nesër të aplikuar në fushë”.

Trajneri Reja tregoi gjatë konferencës se ishte i keqardhur, që nuk pati mundësi të merrte drejtimin e Shqipërisë më parë. Sipas tij, nëse do të kishte ardhur më herët në kombëtare, do të kishte bërë gjëra më të mira, duke lënë të kuptohet se do të tenonte edhe kualifikimin në Europian.

“Unë kam punuar me klubet, është një punë tjetër, duhet të kesh dhe një raport tjetër me mediat. Është diçka stresuese. Fola me Deshampin në ndeshjen e parë me Francën, dhe më tha që është i kënaqur me punën e tij dhe më tha që nuk ka të njëjtin stres, si me Juventusin, që kërkohen rezultatet çdo javë. Më vjen keq që nuk erdha më herët që të kisha mundësi të njihja më shumë ekipin dhe të stërviteshim më mirë. Mund të merrnim rezultate më të mira me më shumë kohë, por për të ardhmen premtoj se do të ketë rezultate më të mira”, shtoi trajneri.


Reja “kërcënon” të rinjtë: Luani në fushë, ose Shqipëri me 11 lojtarë

Trajneri Edoardo Reja u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes me Andorrën. Tekniku nuk e kapërdinë dot barazimin 2-2  ndaj Andorrës, një skuadër modeste, ndaj të cilës mendohej se Shqipëria do të fitonte me goleadë. Kjo jo vetëm që s`ndodhi, por madje ishte Andorra ajo që na vuri në vështirësi. Reja tha se Shqipërisë nuk i lejohet që të bëjë gabime të tilla si ndaj Andorrës.

“Jemi të zhgënjyer pasi kishim një ecuri pozitive dhe nuk e doja këtë rezultat sot. Jemi të zhgënjyer si unë dhe lojtarët. Mendoj se këta djem gjatë javës në stërvitje treguan se e meritonin këtë shans. 11-tëshja jonë ishte e aftë, por mungoi shpejtësia në manovër. Në rastin e golit të parë një lojtar i Andorrës mori topin për 60 metra, për një skuadër si Shqipëria është e palejueshme kjo. Ishte një ndeshje e vështirë, nuk u përballëm me harmoninë e duhur”, tha trajneri.


Trajneri u shpreh gjithashtu, se disa lojtarë të kombëtares ruheshin nga dëmtimet. Reja e mban përgjegjësinë për vete, por sigurisht zhgënjimi ndaj lojtarëve është i madh. Ai shprehet se disa prej futbollistëve nuk dhanë 100% në fushë, ashtu sikundër kishin bërë në seancat stërvitore.

“Duhej një shpirt luftarak më i fortë, më erdhi keq. Mbase isha unë përgjegjësi që nuk i mobilizova. I thashë se ishte ndeshje e vështirë. Më dukej sikur disa lojtarë nuk përplaseshin dhe nuk jepnin 100% për t’u ruajtur nga ndonjë dëmtim. Jam i zhgënjyer, pasi nuk e meritonte Shqipëria këtë ndeshje. M’u duk e drejtë që të aktivizoja disa lojtarë që nuk kanë pasur shumë mundësi, për t’u dhënë minuta lojtarëve. Përndryshe përfundojmë duke luajtur 11 lojtarë. Do doja që edhe lojtarët të hyjnë avash në grup, duke qenë edhe ndikimi i emocioneve nuk arritën të tregonin 100% nga ajo çfarë kam parë në stërvitje”, tha Reja.


Priten debutime, Reja: Kam djem inteligjent, të japin maksimumin

Kombëtarja do të përballet të enjten me Andorrën në “Elbasan Arena”, në sfidën e parafundit Eleminatore të Euro 2020. Trajneri Edy Reja foli në konferencë për mediat të mërkurën, duke u shprehur fillimisht se Andorra duhet respektuar maksimalisht.  “Kam një skuadër me djem inteligjent. Ia kam transmetuar se pika jonë e referimit është ndeshja me Andorrën. Duhet të kemi një rritje nga ana mentale. Nuk duhet nënvlerësuar kjo ndeshje, duhet të japim 110% të kapacitetit tonë”, tha Reja.

Cikalleshi mungon në dy ndeshjet e fundit të kombëtares. Për trajnerin Reja do të jetë një mungesë e rëndësishme, por ai shprehet se janë të gatshëm 5 sulmues për dy ndeshjet e fundit. “Siç e dini Cikalleshi na ka dhënë një rendiment në ndeshjet që ka luajtur. Kemi në kontingjentin tonë 5 sulmues. Kemi Kamberin, Manajn, Uzunin. Sulmuesit tanë kanë të njëjtin nivel dhe karakteristika të njëjta. Unë do të vendos nesër duke parë gjendjen më të mirë fizike. Kush do që do luajë do të japë maksimumin. Kemi dhe Seferin dhe Balajn, që janë shumë të rëndësishëm. Kemi djem të tjerë që do japin më të mirën”, tha trajneri.


Skema pritet të jetë si gjithmonë, 3-5-2. Trajneri Reja e argumenton këtë si modul që i jep më shumë mundësi sulmit.  “4-3-3 është moduli im i preferuar, e kam thënë më para, por me 3-5-2 ne kemi dy sulmues qendror. Dy anësorë që sulmojmë dhe dy mesfushor qendre. Kështu që kemi më shumë mundësi të sulmojmë. Nëse nuk ke dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy mbrojtës krahu është e vështirë. Është e vështirë, pasi nuk kemi shumë kohë, për të provuar modul të ri. Ndihemi mirë me këtë modul dhe djemtë mund të arrijnë rezultate më të mira”, tha trajneri.


Edy Reja në “hall”, moti i keq i prish planet

Moti i keq shkaktoi probleme në disa qarqe të vendit, duke përkeqësuar qarkullimin e mjeteve në rrugë apo duke shkaktuar kufizime të energjisë elektrike në shumë fshatra. Por, stuhive të erës dhe shiut nuk i shpëtoi as kombëtarja e futbollit. Për shkakt të stuhisë, trajneri i kombëtares Edy Reja dhe stafi teknik kanë vendosur të anulojnë seancën stërvitore të së martës pasdite për shkak të erës dhe shiut.

“Seanca stërvitore e ditës së sotme, e planifikuar për në orën 15:00 nuk do të zhvillohet për shkak të kushteve atmosferike. Skuadra ka zhvilluar një seancë stërvitore të plotë në mëngjes, nga ora 10:00 deri në orën 12:15”, tha Federata Shqiptare e Futbollit në një njoftim. Kuqezinjtë do të qëndrojnë në ambientet e resortit ku janë grumbulluar në Durrës.


Kombëtarja do të përballet në dy ndeshjet e fundit të euro 2020 me Andorrën në “Elbasan Arena” dhe me Francën të dielën në “Air Albania Stadium”. Për ndeshjen e parë janë shitur diku te 2000 bileta, ndërsa për Francën janë shitur pothuajse të gjitha biletat. Të hënën FSHF i bëri thirrje tifozëve që të mbështesin kombëtaren edhe në takimin me Andorrën, jo vetëm për Francën.


“Reja s`më jep llogari”, Uzuni flet për rikthimin

Futbollisti i kombëtares, Myrto Uzuni foli të hënën në konferencë për shtyp nga grumbullimi me ekipin përfaqësues. Sulmuesi beratas, që rikthehet në listën e trajnerit Edy Reja, u shpreh i lumtur për ftesën. “Është tjerët klubi është tjetër Kombëtarja. Ke ndjenja dhe ndien më shumë besim. Ndihesh krenar që të përfaqësosh këto ngjyra. Mezi e prisja ftesën e radhës. Isha duke punuar fortë dhe prisja ftesën e radhës. Ndihem mirë pasi me Lokomotivën jam aktivizuar çdo ndeshje nga 90 minuta, kam asistuar kam shënuar. Besoj se jam në formë të mirë. Unë dua të luaj tek të 2 sfidat, por duhet t’i tregoj trajnerit që jam i gatshëm”, tha Uzuni.

Megjithatë, futbollisti nuk e kishte pritur mirë faktin që u la jashtë në ndeshjet e tetorit. “Nuk jam ndjerë mirë kur nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva. Isha dhe duke lozur. Trajneri e pa që unë po bëja mirë. Trajneri nuk mund t’i japë llogari lojtarit që pse nuk po e thërret”, tha Uzuni. Sulmuesi, që aktivizohet te Lokomotiva Zagreb, nuk trembet nga konkurrenca në skuadër, pasi sipas tij i bën lojtarët të japin maksimumin. “Konkurrenca bën mirë për çdo ekip dhe lojtarët japin maksimumin për ekipin. Rëndësi ka që të dalim të gjithë të gëzuar me pikë maksimale”.


Ndërkohë, duke folur për ndeshjen ndaj Andorrës, Uzuni u shpreh: “Mendoj që asnjë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar.  Jemi profesionist dhe duhet të hymë në fushë të bindur për fitore, pavarësisht se çfarë sjellë loja”. Fakti që kuqezinjtë do të luajnë në stadiumin e ri kombëtar, për Myrto Uzunin do të jetë një shtysë më shumë për të bërë mirë. “Do të luajmë në shtëpinë tonë të re dhe tifozeria do të jetë e gatshme për të na përkrahur. Besoj se ata do na shtyjnë të japim akoma me shumë”, përfundoi lojtari.


Skip to toolbar