“Pas 48 orësh Shqipëria do të marrë lajmin e mirë nga Komisioni Europian për hapjen negociatave”. Kështu u shpreh të hënën në mesditë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një intervistë televizive në News 24. Ai tha se Komisioni Europian do të publikojë progres raportin dhe do të japë vlerësim pozitiv për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke kërkuar hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Pas 48 orësh Shqipëria do të marrë rekomandim pozitiv për hapje të negociatave. Kjo sepse qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka bërë punë të madhe për shtetin e së drejtës dhe për integrimin e vendit për në BE, me reformat që janë sjellë në tavolinë. Nuk po them se me rekomandimin pozitiv Shqipërisë i mbaruan hallet, por është bërë e rëndësishme për integrim më tej për në BE. Ndërsa meraku i Bashës dhe opozitës është reforma në drejtësi”, tha Balla, i cili komentoi krizën politike në vend, duke theksuar dhe njëherë se maxhoranca është gati për dialog, por pa negociuar datën e zgjedhjeve që është 30 qershori, afati i fundit kushtetues.