Balla: Dekreti i Metës, një vrimë në ujë

Më të fundit


Dekreti i Presidentit nuk e ka ndalur mazhorancën që të vijojë me fushatën elektorale në çdo bashki të vendit, e cila e ka cilësuar lëvizjen e Metës si një vrimë në ujë. Një deklaratë e tillë është bërë nga Taulant Balla gjatë një takimi në Gramsh, ku sërish i kujtoi Metës dhe opozitës se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 Qershor. “Një gjë të tillë, të përcaktuar në Kushtetutë, nuk mund ta ndalë as Luli e Berisha dhe as Monika e Meta Zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor dhe nuk e luan topi”, tha Balla, ndërsa nuk kurseu ironinë për kryedemokratin. “Luljeta Dollani në krye të Gramshit do të mbahet mend se e transformoi Gramshin. Luli i Saliut në krye të Bashkisë së Tiranës do të mbahet mend vetëm se flinte gjumë. Një kokërr gjumashi që edhe Ilir Meta, këto ditë është inatosur me të sepse tha ‘unë e bëra punën time, ai fle gjumë. Unë e anulova dekretin, ai fle gjumë.’ Pavarësisht se Iliri bëri një vrimë në ujë se ai ç’dekret nuk ekziston në Kushtetutë dhe sigurisht në 30 Qershor do të bëhen zgjedhjet”, deklaroi Balla.

I pranishëm për herë të parë në Gramsh, Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se Luli e Monika mbledhin në protesta, po aq njerëz sa PS mbledh në një lagje të Gramshit. “Për ne zgjedhjet e 30 Qershorit nuk kanë kthim pas. Erdha në Gramsh për tu shkëputur nga zhurma politike në Tiranë sepse është një zhurmë tërësisht për pushtet. Presidenti Ilir Meta, që deri para pak ditësh ishte si në hije, por me shpirt e zemër tek opozita, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, faktoi se është në një linjë me opozitën që ka dalë në rrugë”, u shpreh Ulsi Manja.



Skip to toolbar