Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës nga Elbasani, ku tha se kushdo që cënonte zgjedhjet do të dënohej me 7 vite burg.
Balliu, i cili ka qenë edhe sot në mbështetje të protestuesve tek Unaza e Re, i ka dhënë një përgjigje Taulant Ballës duke i thënë se askush nuk duhet të kërcënojë zgjedhjet e lira, por gjithashtu duhet të dënohen edhe ata që shoqërohen dhe bëjnë biznes me kriminelët.
“Taulant Balla, të dëgjova sot kur the se do të dënohen me 7 vjet burg ata që do të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit, jam dakord. Por zgjedhjet i pengon ai që bën zgjedhje fasadë. Zgjedhjet fasadë shkatërrojnë zgjedhjet, por koka juaj staliniste nuk e kupton dot, se nuk kupton çfarë është pluralizmi. Nuk kuptoni se çfarë fuqi ka qytetari i lirë dhe i thjeshtë. Por ju do të përballeni një herë me fuqinë e tyre dhe do e kuptoni se ç’do të thotë qytetar i lirë. Por unë kam një propozim meqenëse flet për burg. 100 vjet burg për atë që flet me kriminelë, 100 vjet burg për atë që bën biznes me kriminelë, 100 vjet burg për atë që ka shokë kriminelë.” – tha Balliu