Ballkani në fokusin e SHBA, DASH: Jo më udhëheqje amerikane, por partneritet

AKTUALITET


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një raport të ri ku e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe ekonominë amerikane, duke theksuar se stabiliteti i tij e bën SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Dokumenti shënon një ndryshim të qartë qasjeje: Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon.

Sipas dokumentit, “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, ndërsa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”.

Prioritetet kryesore të politikës amerikane përfshijnë ruajtjen e stabilitetit, kundërshtimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës, bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik, si dhe luftën kundër krimit të organizuar. Për Kosovën, SHBA-ja rithekson mbështetjen për dialogun me Serbinë dhe angazhimin e vazhdueshëm ushtarak nëpërmjet KFOR-it. Rusia dhe Kina identifikohen si kërcënime aktive, ndërsa grupet kriminale ballkanike cilësohen si rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare amerikane.

Rajoni paraqitet gjithashtu si mundësi e rëndësishme ekonomike, me 18 milionë banorë, burime natyrore dhe sektor teknologjik në rritje -por me infrastrukturë që mbetet nën standardet europiane.



Skip to toolbar