Kombëtarja U-21 ka luajtur ndeshjen e tretë zyrtare në kuadër të eliminatoreve të kampionatit Europian. 21-vjeçarët janë përballur me Turqinë në fushën e këtyre të fundit, nga ku kanë dalë me një pikë, pasi kanë barazuar me rezultatin 2-2. Në pjesën e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, duke mbajtur portën të paprekur, pavarësisht presionit të ekipit vendas.
Megjithatë, Turqia, e cila e mundi përfaqësuesen tonë Shpresa në mars në ndeshjen e parë në Tiranë, ka luajtur më mirë në lojën ofensive, duke shkuar disa herë në portën tonë. Gjtihësesi, pjesa e parë u mbyll me rrejta të paprekura, ndërsa gjithçka ndryshon në të dytën.
Kuqezinjtë e vegjël kanë gjetur rrjetën menjëherë me nisjen e lojës pas pushimit të pjesës së parë. Leonardo Maloku, mbrojtësi i ardhur nga radhët e Fermana, ka gjetur rrjetën në minutën e 49`, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Ka zgjatur vetëm pesë minuta gëzimi i skuadrës tonë, e cila është ndëshkuar në minutën e 54` ka qenë Muldur që ka realizuar golin e barazimit për vendasit. Pas këtij goli turqia bëhet më agresive dhe rrit presionin ndaj skuadrës tonë, duke kontrolluar gjatë gjithë kohës lojën.
Mundi i turqve do të shpërblehej përsëri në minutën e 85` të ndeshjes, kur Dervisoglu ka shënuar golin e avantazhit për skuadrën etij. Kur ndeshja u duk se do të shkonte drejt fundit me fitoren e ekipit turk, të besuarit e Alban Bushit kanë realizuar në frymën e fundit golin e barazimit.
Shaqir Tafa ka gjetur rrejtën në minutën e 90+5`, duke i dhënë një pikë të artë skuadrës tonë, që vijonë të mbajë gjallë shpresën për tu kualifikuar në Europian.
Megjithatë, kuqezinjtë që aktualisht ndodhen në vendin e tretë me dy pikë, kanë luajtur tre ndeshje në total, në këto eliminatore, ndërsa ekipet e tjera të grupit tonë, kanë luajtur dy ose më pak takime.