Bushi: E mundim Kosovën

AKTUALITET


Kombëtarja U-21 do të përballet të martën me Kosovën në takimin kualifikues të Europianit. Trajneri Alban Bushi foli në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes. Trajneri i ekipit Shpresa tha se skuadra është gati për këtë sfidë, dhe synim është fitorja. “Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion, pothuajse shtatë ditë. Të tetën është ndeshja. Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Kosova ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë se ne, por kjo nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Ditën e martë pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë dhe jam i sigurt për këtë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale për ta mundur Kosovën”, tha Bushi.

 Për Alban Bushin objektivi kryesor është evidentimi i talenteve tek U-21, dhe më pas kalimi i tyre te kombëtarja A. “Shumë futbollistë të ekipit U21 janë marrë nga ekipi A. Kjo tregon se po punohet mirë tek të gjitha ekipet e moshave të kombëtares. Shumë lojtarë vijnë nga poshtë, ne i aktivizojmë dhe i bëjmë gati për ekipin A. Kjo ka edhe anën negative, pasi prishen ekuilibrat në skuadër. Mundohemi ta rregullojmë ekipin Shpresa. Me Austrinë patëm 8 mungesa dhe nuk kishim ekuilibër. E rëndësishme është që ekipi A të ketë një ekip që tregon forcë, siç bëri në Turqi.  Reja mund të marrë këdo lojtar kur të dojë. Shpresat kanë si objektiv të çojnë lojtar në kombëtare. Nëse do kemi një grup të plotë, atëherë mund të flitet edhe për rezultate. Sigurisht që rezultatet duhet të jenë të pranishme, pavarësisht objektivit të institucionet për të çuar sa më shumë lojtarë lart”, tha Bushi.


Sulmuesi i të rinjëve të Chelsea në Londër, Armando Broja është një nga lojtrët që Alban Bushi e veçon. Sipas trajnerit, sulmuesi 18-vjeçar është shumë i talentuar dhe do të ketë një të ardhme të madhe. “Të gjithë lojtarët që janë në ekipin kombëtar, janë lojtarët më të mirë të momentit. Për këtë arsye i përzgjedhim. Broja është një lojtar i perspektivës, me moshë shumë të vogël në krahasim me ekipin aktual. Mendoj se do të bëhet një lojtar shumë i mirë, ndaj edhe e kemi aktivizuar. Kam besim se do të ecë shumë. Do të jetë e ardhmja e sulmit, se bashku me lojtarët e tjerë”, tha Bushi.

Ndaj Kosovës janë të pranueshme të tria rezultatet, thotë trajneri i kuqezinjëve të vegjël. Sipas Bushit, pavarësisht rezultatit në fund, skuadra duhet të japi maksimumin për dalë me kokën lartë në fund të ndeshjes. “E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të dalësh me kokën lart, siç doli Shqipëria me Turqinë brenda Stambollit. Nëse bëjmë maksimumin, ne dalim krenarë, pavarësisht rezultatit. E kam thënë edhe herë tjetër, kemi djem shumë të rinj. Janë këtu për të mësuar dhe për të shkuar në ekipin kombëtar. Ndonjëherë do qeshim, ndonjëherë do qajmë. Duhet që djemtë të lagin fanellën, e kanë detyrim moral, e kanë detyrim kombëtar për të dhënë maksimumin. Duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin që të fitojmë, jo se kemi Kosovën përballë”, shtoi ndër të tjera ai. Kjo përballje do të zhvillohet në datën 15 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 19:00.




Skip to toolbar