Festa ndaj Kosovës, Bushi mbron Shpresat

AKTUALITET


Trajneri i ekipit kombëtar U-21, foli të enjten në konferencë për shtyp, pas përfundimit të ndeshjes eleminatore ndaj Kosovës, ku Shqipëria mori tre pikë të martën. Bushi vlerësoi fillimisht paraqitjen e skuadrës dhe fitoren ndaj U-21 “Dardan”.  “Mendoj se kanë bërë një ndeshje të mirë, ishin të mobilizuar. Kishim kohë në dispozicion, ndaj u sollën mirë ndaj detyrave taktike. Nuk ndodhi si herët e tjera. Dhanë maksimumin dhe i falënderoj, pasi nuk ishte një ndeshje e lehtë. Kosova është një ekip i fortë”, tha trajneri.

Alban Bushi shprehet se kuqezinjtë e vegjël kanë ende shanse për kualifikim, pavarësisht se janë luajtur më shumë se gjysma e ndeshjeve, dhe kombëtarja është larg vendeve të kreut.
“Po të luajmë si me Turqinë dhe Kosovën, kemi shanset tona”, tha Bushi. Ai komentoi edhe polemikat e hapura së fundi. Pas fitores ndaj Kosovës, futbollistët kuqezinj festuan në dhomat e zhveshjes. Kjo gjë nuk u prit mirë në Kosovë nga tifozët, të cilat u shprehën se nuk futbollistët shqiptarë nuk duhet të festonin. Megjithatë, trajneri mbrojti lojtarët duke u shprehur, se festa e fitores është njëlloj edhe kur luan kalçeto kundër vëllait tënd.


“Është njëlloj si me çdo ekip. Sa kohë lodhesh dhe punon, normal vjen ai lloj shpërthimi, adrenaline. Unë gëzohem edhe kur fitoj në kalceto, edhe pse mund të kem vëllanë tim përballë. Edhe Kosova ka festuar kur mundi Shqipërinë 3-0 në Zvicër, është normale. Kur luan Kosova dua që ata të fitojnë, e dua më zemër. Këtë herë doja fitoren e Shqipërisë. Humbjet të mërzisin. Këtu nuk është klub. Këtu shihet si luajmë futboll dhe nuk kemi çaluar. Kemi qenë mirë, përveç ndeshjes me Austrinë”, tha Bushi.

Alban Bushi shprehet se disa nga lojtarët nën moshën 21 vjeç, që janë grumbulluar nga trajneri Edy Reja, nëse do ishin pjesë e Shpresave, skuadra do të ishte më e fortë. Megjithatë, ai shprehet se kjo është fazë tranzicioni. “Nuk jemi Gjermania të kemi aq shumë lojtarë. Na gëzon fakti që kemi lojtarë të mirë tek ekipi kombëtar. Me Selahin, Mihajn dhe Kumbullën do ishim ekip tjetër. Do kishim më shumë fitore me ekip të plotë. Shqipëria mund t’ia dalë edhe tani, pa menduar për lojtarët që janë pjesë e kombëtares tani. Po të ishin edhe ata, do ishte më mirë. Por edhe ekipi i parë ka një fazë tranzicioni. Kur të stabilizohet, atëherë do të jetë ndryshe dhe mund të kemi shanset tona që të kualifikohet në të ardhmen”.




Skip to toolbar