Bushi do “luftëtarë”, por dorëzohet vetë

AKTUALITET


Shqipëria U-21, do të përballet me Kosovën në 15 tetor në Elbasan, në ndeshjen e radhës kualifikuese të Europianit. Trajneri i kombëtare Shpresa, Alban Bushi foli në konferencë për mediat, duke u shprehur se Kosova është kundërshtar i fortë dhe pretendent për t`u kualifikuar.  “Kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretedent për t’u kualifikuar. Ata kanë një grup të lidhur, ndryshe nga ne që bejmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë Kombëtaren e parë. 3-4 lojtarë të Kosovës nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vjetësh por, nuk kanë pranuar të vijnë me ne edhe pse për ne nuk është problem. Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe deshira që kanë për të fituar, diçka që se kanë lojtarët tanë”, tha Bushi.  

Alban Bushi është i ndërgjegjshëm se Shqipëria është një hap pas Kosovës, ndonëse “Dardanët” janë një ekip i krijuar vonë.  “Ne mundohemi t’i motivojmë, por nuk e di pse nuk e kanë në gjak. Unë mendoj se Kosova është një hap më lart se ne. Po t’i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi se ata. Por, kjo grinta duket se e mposht cilësinë. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullar dhe marrin minuta. Tifozët na kanë mbështetur, ekipin kombëtar duhet ta mbështesin, pavarësisht orarit apo kohës së keqe. Unë mendoj se me Kosovën do të ketë tifozë”, tha Bushi.


Ndërkohë, lidhur me lojtarët e grumbulluar për këtë takim, Bushi shprehet se janë më të mirët për momentin, pasi kanë minuta në këmbë. Sipas tij, në ndeshjet e luajtura deri tani, gabimi i vetëm ishte në takimin me Andorrën. “Kemi bërë katër ndeshje dhe mendoj se gabimin e vetëm e kemi bërë vetëm me Andorrën. Me Turqinë kemi bërë mirë, ndërsa me Austrinë kemi bërë lojën më të dobët. Duhet të ishim më agresiv. Me Austrinë kishte gjëra pozitive, pasi kishte lojtarë që dhanë shumë. Objektivi i Shpresave është të futemi për fitore, por duhet të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren A. Ka lojtarë si Bullari, Broja që nuk e kanë moshën për te ne. Ne i marrim, i japim minuta, por kjo ka kostot e veta, pasi ata luajnë me lojtarë tre vjet më të mëdhenj”, tha Bushi.

Në fund, Alban Bushi tregon se e vetmja gjë që i kërkon skuadrës është “lufta” në fushë, ndërsa qëllimi i tij është të nxjerri lojtarë për ekipin kombëtar A. “Ne ëndërrojmë Europianin dhe mundohemi të bëjmë maksimumin. Unë nuk kërkoj asgjë nga skuadra, përveçse faktit të luftojë. Në lojë duhet të luftosh 95 minuta. Duhet të pranojmë që këta janë lojtarët që kemi në dispozicion. Jemi të kënaqur, kur shohim lojtarët e Shpresave që bashkohen me ekipin A. Kjo na bën krenarë dhe shpresojmë që me Kosovën të fitojmë”, tha alban Bushi.

Lista e futbollistëve të grumbulluar:




Skip to toolbar