Basha, akuza për tryezën e OSBE: Kurth i Ramës

POLITIKË


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka hedhur dyshime të forta mbi tryezën e organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore, duke e cilësuar atë një kurth politik i Edi Ramës. Këto akuza të Bashë vijnë vetëm pak orë pasi Berisha sulmoi Borschard si njeri “të njëanshëm me Edi Ramën”. Duke komentuar kurthin e Ramës, Basha tha kjo është arsyeja që opozita, nuk ra pre e saj, ndërsa nënkuptoi se në këtë kurth ka rënë dhe OSBE.

“Pas vendimit të Bundestgut gjerman do t’i takonte qeverisë që të bënte një propozim e të mos bënte batuta. Ne vendosëm që të mos binim në kurthin politik të Ramës, por t’i tregonim partnerëve strategjikë se jemi të gatshëm të vëmë në jetë atë që kërkon Bundestagu, reformën zgjedhore”, deklaroi Lulzim Basha në një intervistë përballë gazetarit Çim Peka në Syri TV.


Pyetjes së gazetarit Peka, nëse edhe OSBE ishte pjesë e këtij kurthi, kreu i opozitës iu përgjigj “Nuk e di a ka qenë pjesë a ra në këtë kurth, por ne si opozitë e kthyem në mundësi të artë për të treguar se jemi gati, kemi vizionin për ta bërë një reformë të tillë”.

Ndërsa ngriti dyshime për tryezën e OSBE, Basha mohoi edhe që PD ka qenë afër linjës së kuqe që SHBA të fuste këtë forcë politikë në listën e “organizatave të dhunshme”, një mesazh i dhënë i qartë para zgjedhjeve të 30 qershorit.

Po ashtu, kreu i opozitës ka hedhur poshtë sërish mundësinë për një takim me kryeministrin Rama, i cili bëri sërish këtë thirrje përballë gazetarit Sokol Balla në Real Story dhe deklaroi se reforma zgjedhore do të bëhet edhe pa opozitën jashtë parlamentare, nëse ajo nuk pranon të ulet në tryezë, pasi mund të realizohet me opozitën parlamentare.

Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bernd Bochardt, si njeri “të njëanshëm me Edi Ramën”. “Ndërkombëtarët nuk kanë refuzuar. Bochardt është jashtëzakonisht i njëanësuar me Ramën, por unë nuk besoj se mund të refuzojë angazhimin e ODIHR në reformë. ODIHR nuk pranon të vijë në reformë nëse njëra palë kundërshton”, tha Berisha. 

Më tej, ish-kryeministri, akuzoi dhe kreun aktual të qeverisë, Edi Rama, duke u shprehur se ai kundërshton ardhjen e ODIHR, për të bllokuar negociatat. “Edi Rama e kundërshton ardhjen e ODIHR se dëshiron me çdo kusht të bllokojë negociatat. Nuk pyet për asgjë tjetër përveç karriges së pushtetit ekzekutiv dhe parave të tij. Nëse do të ishte serioz ky, Gjykatat Kushtetuese do të ishte ngritur me kohë, Gjykata e Lartë, SPAK, BKH”, është shprehur Berisha.




Skip to toolbar