Për gati 1 orë kryetari i PD-së, Lulzim Basha argumentoi sipas tij se kryeministri Rama po çon vendin në një grusht shteti me këmbënguljen e tij për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor dhe se demokratët duhet të rezistojnë “në një mënyrë të civilizuar, siç bëjnë vendet evropiane në raste të tilla”. Megjithatë ai nuk tha sesi do të ndodhë kjo, madje në asnjë rresht të fjalimit tij nuk përmend fjalën protestë apo bllokim të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ai tha se Rama po e përdor çështjen e shkarkimit të presidentit vetëm për të tërhequr vëmendjen dhe për të negociuar pushtetin e tij, por në të vërtetë kjo datë ka rënë sipas tij. Gjithësesi Basha u shfaq i zbutur dhe në mënyrë të civilizuar bëri thirrje për bashkim dhe rezistencë.
Në fjalën e tij, u duk sikur lideri i opozitës megjithëse e quajti 30 qershorin si ditë kur ndahet fati i 15 viteve të ardhshme të vendit, tentoi të zhvlerësoje atë si një ditë përplasjeje, por si një datë farsë për zgjedhjet e Edi Ramës “sikur të thoja unë, që 7 korriku është data e zgjedhjeve të përgjithshme politike”. “Sfidimi i hapur që Edi Rama bën. Përpjekja për të vendosur 30 qershorin në qendër të debatit politik kur 30 qershori nuk përbën më një datë zgjedhjesh, por një datë grushti shteti, ky sfidim bëhet me një qëllim që Rama të negociojë kokën e tij, pasurinë e tij dhe të kriminelëve të tij”. Pra Basha pranoi indirekt, se data 30 qershor, mund të jetë argument në një tavolinë të mundshme negociatash.
Interesant ishte edhe qëndrimi i tij ndaj debatit mes presidentit dhe maxhorancës. Ai tha se çështja e shkarkimit të presidentit është një teatër i Ramës për të tërhequr vëmendjen.
“I vënë përballë kërkesës për largimin e përgjegjësit për këtë krizë të rënë politike dhe ekonomike, krijimi i një qeverie tranzitore, Edi Rama ka vënë në lojë teatrin e e shkarkimit të Edi Ramës dhe bën teatër me datën 30 qershor. E gjitha ka një qëllim: të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik, se e gjithë bota e di se ne kemi në krye të vendit një bandit të kapur me presh në duar që nuk përfaqëson legjitimitet, por ilegjitimet. Një njeri që ka ardhur në pushtet me krimin. farsa e nisur me shkarkim të presidentit, që përfundoi në një rezolutë dhe pastaj në një qortim etik, bëhet vetëm se Edi Rama ka nevojë jetike të largojë vëmendjen nga fakti se është kapur të vjedhë zgjedhjet, të vjedhë qytetarët. Është pjesë e teatrit, që të ruajë pushtetin e paligjshëm, nëpërmjet të cilit ai dhe një grusht njerëzish rreth tij pasurohen, ndërsa fëmijët e shqiptarëve nuk kanë bukë të hanë”, tha Basha.
Në fund ai refuzoi të japë përgjigje se çfarë date mund t’i sugjeronte presidentit si datë alternativë për zgjedhjet lokale. Ai tha se protestat do vazhdojnë. Por as për këtë, nuk dha ndonjë datë.