Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar sërish në facebook videon dhe thirrjen e tij për shqiptarët që t’i bashkohen protestës së 8 korrikut.
“Të hënën 8 korrik në ora 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës së krimit, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, bashkohemi kundër bandës që grabit gjithçka, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria Si Europa! Asnjë hap pas! Rama Ik”, shkruan Basha në Facebook.
Kjo thirrje e Bashës drejtuar shqiptarëve vjen pasi ai u premtoi atyre në 9 protestat e kaluara se në 30 qershor s’do të zhvillohen zgjedhje.
Për 5 muaj rresht Basha nxorri demokratët në shesh e bulevard dhe u premtoi atyre se në 30 qershor nuk do të zhvilloheshin zgjedhjet. Për të bllokuar procesin PD kishte hartuar një plan të detajuar masash, madje shpërndau dhe një qarkore në degët e PD-së (të cilën e mohuan zyrtarisht), por një pjesë të cilës e vunë në jetë në disa KZAZ që u sulmuan me molotov. Gjithsesi për shkak të presionit të ndërkombëtarëve PD u tërhoq nga plani për të bllokuar zgjedhjet. Zgjedhjet u zhvilluan dhe në përfundim të tyre Basha thirri fitore nga selia blu.
Ndonëse numri i votuesve që mori pjesë në zgjedhje ishte një shifër shumë e përafërt me votat që PS mori në zgjedhjet e fundit, për Lulzim Bashën, kjo është braktisje e Edi Ramës.
“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”, u shpreh Basha.
Por në prag të protestës së të hënës Bashës i del dhe një e vërtetë e hidhur për të. Ish ministri Arben Imami, tha në studion e Real Story të Sokol Ballës së Basha ishte në dijeni të përgjimeve të Bild që në vitin 2017. Çfarë do t’i thotë Basha protestuesve të hënën për këto përgjime dhe për faktin se pse nuk i ka zbuluar më parë? A ishin këto përgjime pjesë e marrëveshjes me Ramën në 17 maj të 2017? Të presim të hënë dhe protestën e 10 të opozitës.