Imami në Real Story: Nuk iku Rama, iku PD. Basha i dinte përgjimet që para “17 majit”

Më të fundit


Arben Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike ka deklaruar në studion e Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus se opozita me aksionin “Rama ik” nuk iku Rama, por iku vetë Partia Demokratike, pasi sot nuk është as në parlament dhe as bashkitë nuk i ka më. Ai i ka dhënë të drejtë Jozefina Topallit, e cila tha se PD për herë të parë ngeli pa asnjë lloj përfaqësimi. Imami foli edhe për debatet brenda Partisë Demokratike, pas dështimit të protestave 5 mujore, duke mos arritur qëllimin final të saj, “largimin e Ramës”, ndërsa theksoi se Lulzim Basha një pjesë të përgjimeve i ka pasur para marrëveshjes së 17 majit.

“Pas këtij aksioni opozitar 5 mujor është e arsyeshme që të bëhet një moment reflektimi dhe të shihen konkluzione dhe përfundimet mbi situatën që kaloi dhe mbi atë që ndodhen aktualisht. Protestat nuk dhanë rezultate. Për të gjykuar një veprim nëse është i mirë apo i keq, duhet që qëllimi të jetë i mirë, mjetet të jenë të mira dhe rezultati të jetë i mirë. Nëse një nuk qëndron, vihet në pikëpyetje. Qëllimet ishin të mira, mjetet ishin të diskutueshme, por rezultati ishte i gabuar dhe problematik. Jozefina kishte të drejtë. Rezultati nuk ishte i mirë dhe nuk mund të thuash që fituam. PD ngeli pa përfaqësim si në parlament ashtu edhe në bashki. Para se të ikte Edi Rama, duhet thënë se është një parti jashtë institucioneve, pra ka ikur vetë PD”, tha Imami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike me një histori ulje ngritjesh, largimesh dhe rikthimesh, në Partinë Demokratike, derisa kryetar i saj u zgjodh Lulzim Basha, dhe ashtu si Jozefina Topalli, ai nuk u fut në listat për deputetë.


Por për këtë rezultat zhgënjyes pas pesë muajsh protesta, Arben Imami ka emrin e një përgjegjësi. “Përgjegjësia është e Bashës, duhet të çmonte nëse e realizonte këtë aksion, apo nuk e realizonte. Askush nuk ka licencë të shuajë Partinë Demokratike. PD është një vlerë kombëtare dhe nuk mund dhe nuk duhet të shuhet”, deklaroi Imami përballë Sokol Ballës. Arben Imami nuk ka lënë pa komentuar edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, sidomos SHBA-ve, që sipas tij janë shumë domethënëse sidomos për Partinë Demokratike, pavarësisht se sipas tij, kjo forcë ka gati dy vite që i ka shkëputur marrëdhëniet me SHBA prej gati dy vitesh. Duke iu referuar qëndrimit të Palmer, Imami tha se po të kishte hyrë Partia Demokratike në listën e organizatave të dhunshme do të ishte një turp, ndërsa theksoi se ka dy vite e gjysmë që Donald Trump  ndodhet në Zyrën  Ovale dhe për dy vite e gjysmë, nuk ka asnjë mesazh pozitiv për Partine  Demokratike. “Për të hyrë në një listë të tillë është shumë e thjeshtë, por për të dalë prej aty është shumë e vështirë”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se përgjegjësi nuk ka vetëm ai për këtë situatë në PD, por kanë të gjithë drejtuesit, megjithëse sipas tij, përgjegjësitë për të marrë vendimin e ka Lulzim Basha. “Edhe vendimi i çadrës është vendimi i tij. Përgjegjësia është e Lulzim Bashës dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Por Basha ka dëshmuar se ai nuk  është tipi i personit që mban përgjegjësi dhe që nuk di të reflektojë”, u shpreh Arben Imami.

Ish themeluesi i PD, nga studio e Real Story të Sokol Ballës, ka bërë edhe një deklaratë të fortë, duke thënë se Basha i ka ditur përgjimet para marrëveshjes së 17 majit në vitin 2017. “Një pjesë të përgjimeve i ka ditur Basha. I ka ditur ato përgjime para marrëveshjes së 17 majit. Unë e di që ka pasur përgjime problematike, por e di në parim, çështjet që janë publikuar të Dibrës. E ka thënë në çadër. Kurse rastin e Durrësit, sipas informacioneve që unë kam, dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur. Unë i kam marrë vesh para një viti e gjysmë, pasi i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Unë e di që Basha ka marrë një person në telefon e i ka thënë që kam një dosje. E ka pyetur se çfarë u bë me dosjen, i ka thënë e kam humbur”, tha Imami në Real Story.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Sokol Balla nëse ky ekip që drejton PD është i duhuri, Imami tha se Basha nuk ka pasur dhe nuk ka ekip. “Njerëzit që mori në bashki, i vuri në parti dhe asnjë nga njerëzit e partisë nuk i çoi as në parlament dhe asgjëkund tjetër. Këtu bëhet fjalë për zotin Basha dhe asnjë tjetër. Nëse një parti duhet të jetë fitimtare, ka vetëm një rrugë, rrugën që zgjodhi Berisha në vitet 2001-2005, i cili thirri kundërshtarët më të përbetuar të tij për të çuar partinë në fitore”, tha Imami, duke shtuar se nëse analizohet drejtimi i Bashës, humbja në vitin 2013 ishte e thellë. Sipas tij, nëse nuk ka reflektim nuk ka vazhdimësi. “Basha ka humbur tre palë zgjedhje, pas tre palë zgjedhjesh, logjika të çon se humb dhe të katërtën”. Në këtë argumentim ka ndërhyrë analisti Alfred Lela, duke thënë se Basha nuk ka humbur tre palë zgjedhje, por dy palë, në vitin 2015 dhe vitin 2017. “Edhe në vitin 2019”, – tha Imami, ndërsa me ironi shtoi – “apo nuk e quajnë këtë”.

Ndërsa sa i përket kushteve të vendosura nga opozita për dorëheqjen e kryeministrit, Imami tha se PD duhet të heqë dorë nga kushtet e vendosura dhe të ulet për të dialoguar me kundërshtarin. “Ne jemi ulur me Ramiz Alinë, kemi diskutuar, nuk kemi rënë dakord, kemi vazhduar përpara. Pra me kundërshtarin duhet të ulesh, mund të mos e respektosh qëndrimin, por duhet të dialogësh”, tha Imami, ndërsa shtoi se sigurisht nuk duhet të pranojë qeveri të përbashkët siç bëri me marrëveshjen e 17 majit. Në këtë kontekst, Imami ka zbuluar dhe arsyen që sipas tij, nuk ishte në listat e PD për deputet. “Sigurisht që jam kundër qeverisë së përbashkët të PS-së me PD-në, prandaj jam jashtë parlamentit. Nuk mund të ulësh të qeverisësh me kundërshtarin. Me këtë nuk dua të them se nuk duhet të ketë marrëveshje dhe qeveri transitore. Qeveritë e mëdha dy herë është provuar dhe për mendimin tim, dy herë kanë dështuar. Të krijohen kushtet, të bëhet reforma zgjedhore dhe të bëhen zgjedhjet, pasi Edi Rama nuk mund të qeverisë më. Sigurisht PD edhe mund shuhet nga kjo, shpresoj që ajo dhe mendoj që jo”, u shpreh Imami në Real Story.




Skip to toolbar