“Basha ik”, Kulluri: Lul dështove, na lër ta bëjmë vetë PD

AKTUALITET


Lëvizja “Basha ik” vijon të forcohet brenda së djathtës, pasi Lulzim Basha ka shpallur ‘armik’ këdo që nuk është pro tij. Në një koment të gjatë në rrjetet sociale, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri analizon situatën në vend, duke e nisur me atë që sipas tij ‘Rama largohet nga pushteti duke ardhur PD në krye të qeverisjes”. “Njerëzit inteligjent merren me idetë, mediokrit merren me njerëzit”! Kjo frazë i shkon më shumë për shtat debatit 2-vjeçar brenda opozitës. Të gjithë bien dakord në PD dhe më gjerë që Rama duhej të mos ishte më kryeministër më së paku prej 2 vitesh! Por kjo është vetëm gjysma e çështjes, pasi largimi i Rilindjes nga pushteti realizohet vetëm me ardhjen në pushtet të opozitës. Alternativa brenda të majtës nuk ka pasi PS është shndërruar në një “çetë të bindur rilindësish”, pa debat dhe alternativa pasi e majta ka rënë në krizë në të gjithë perëndimin! Dhe këtu ka filluar debati që nuk mbaron dot, pasi PD gjendet në një debat dhe përplasje idesh dhe qasjesh esktremisht të ndryshme”, shkruan Kulluri.

Më pas, ai analizon situatën në PD, dhe ato që i quan ‘gënjeshtra të Bashës’ dhe shpalljen ‘armik’ të kujtdo që është kundër tij. Në këtë pikë, Edvin Kulluri tregon se kjo është rrugë e gabuar, dhe PD nga ‘ilaç i Shqipërisë’ është shndërruar në një ‘të sëmurë keq’. “Pa dashur të bëj histori se çka ndodhur nga 2013 e këtej, kriza e 2017 vazhdon dhe po zgjatet çdo ditë e më shumë brenda PD duke e zhveshur nga të qenit “ilaçin e Shqipërisë” dhe transformuar në një “të sëmurë të keq”. Kush nuk e sheh, është i verbër. Dhe më mirë se qëndrimet e lidershipit të PD që veçse shton armiq dhe jo kapacitete dhe aleatë, asgjë nuk e shpjegon krizën e të djathtës. E filloi me kritikët në 2017, e vazhdon duke i quajtur listën e shtuar të kritikëve si “të blerë nga Edi Rama”. Më pas sulmoi ambasadat perëndimore dhe Brukselin si “palë me Ramën”, e tashmë bën armik edhe një pjesë të mediave duke përfunduar si “problem” në qëndrimet e “Gazetarë pa Kufij”, shkruan Kulluri.


Analiza e ish drejtuesit të lartë në PD, vijon më tej edhe me vendimin e Bashës për të shtyrë ‘rrëzimin e Ramës’, duke e quajtur një gënjeshtër të ardhës. “Dhe pas shpalljes “armik” të kujtdo që nuk është dakord me Bashën, i këput dhe një shtyrje të revolucionit në vjeshtë pasi i gënjeu për revolucionin e çadrës, atë të pranverës, 30 qershorit dhe zgjedhjeve të 13 Tetorit! “Herën e parë kur gënjen e ke fajin ti, herën e dytë unë”! Këtë postulat që e përdori kundër Ramës vetë asha, tashmë e ka përdhosur pasi 4 herë janë shumë dhe askush nuk e di më se kush po gënjen më shumë, Basha demokratët që i kanë mbetur, apo këta demokratë veten dhe Bashë! Ndaj rruga e sulmeve ndaj kundërshtarëve është rrugë e gabuar dhe mediokër dhe të shtyn në gënjeshtrën e 5-të, 6-të e kështu me rradhë, ndërkohë që 2021 vjen shpejt”, shkruan ai.

Në fund jep dhe zgjidhjen për Partinë Demokratike, duke lajmëruar aksionin e lëvizjes “Basha ik”, për nisjen e takimeve në bazë dhe më pas mbajtjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm. Sipas Kullurit, vetëm kështu mund të rikthehet PD forcë fituese dhe të bëhet gati për të drejtuar vendin në të ardhmen.  “PD ka nevojë urgjente për debat të brendshëm në bazë dhe në fund mbase në një Kuvend të Jashtëzakonshëm që do hapte megjithëse me vonesë, një dritare për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Izolimi, zvogëlimi, rrudhja dhe shtimi i pafund i kundërshtarëve janë dështim i sigurt dhe i provuar. Mos u merr kot me njerëzit Lulzim Basha por me idetë. Nuk ka rrugë tjetër megjithëse kam bindjen se nuk e bën dot, ndaj lëri demokratët të bëjnë vetë këtë gjë. Partia është e tyrja përfshi dhe ty nëse je vërtet demokrat. Të paktën jepu një mundësi demokratëve dhe vetes të rrëzojnë Rilindjen dhe ti rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri siç më tha një demokrat i mirë 2 ditë më parë”, përfundon Kulluri.




Skip to toolbar