Basha kthen sytë nga SHBA, kërkon qeveri tranzitore

POLITIKË


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur të forcojë sërish marrëdhëniet me SHBA, një nga partnerët strategjik të Shqipërisë. Ftohja e marrëdhënieve të tyre ndodhi pas protestave të dhunshme dhe daljes jashtë institucioneve, por duket se Basha ka hedhur pas krahëve atë periudhë dhe është fokusuar në marrjen e mbështetjes së SHBA për zgjidhjen e krizës dhe forcimin e demokracisë në vend.

Gjatë një takimi që zhvilloi me drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, Robert Benjamin, Basha tha se me ndihmën e SHBA, Shqipëria do të forcojë demokracinë  dhe zbatimin e ligjit. Në lidhje me krizën politike, shqetësim që u nda mes dy bashkëbiseduesve, Basha deklaroi se kjo kalohet vetëm përmes zgjedhjeve të lira që do të sigurohen nga një qeveri tranzitore. Ndërsa vetëm një ditë më parë, Basha tha se zgjidhja e krizës kalon përmes zgjedhjeve të parakohshme.


Kryedemokrati shprehu shqetësim edhe për ngritjen me vonesë të institucioneve të reja të drejtësisë që do të hetojnë korrupsion dhe krimin në nivele të larta shtetërore, SPAK dhe BKH, që do godasin oligarkët dhe të korruptuarit.

Me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, z. Robert Benjamin diskutuam krizën politike në vend, zgjidhja e të cilës kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Derisa të jetë anëtare e Bashkimit Europian, para zgjedhjeve Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë mënyrë do t’i pritet rruga presionit ndaj votuesve dhe ndaj administratës, keqpërdorimit të fondeve publike dhe aseteve shtetërore dhe rolit të personave me rekorde kriminale dhe grupeve kriminale. Ndarja e politikës nga krimi është jetike për votën e lirë.

Ndava shqetësimin e opozitës për vonesat në ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar që pasuritë që ka vendi dhe potencialin e jashtëzakonshëm njerëzor ti vëmë në të mirë të qytetarëve dhe jo në funksion të një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh.

Me ndihmën e çmuar të SHBA do të arrijmë ta kthejmë Shqipërinë në një demokraci funksionale dhe pasuritë e saj në zhvillim dhe mirëqenie për çdo familje shqiptare. Përfaqësuesit e Institutit Demokrat ndanë shqetësimin me të cilin po ndiqet në SHBA kriza politike në vend dhe konfirmuan gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre për zgjidhjen e saj dhe forcimin e demokracisë.” tha Basha




Skip to toolbar