Basha, Llalla e Tahiri, 3 dosjet e bujshme të SPAK

AKTUALITET


Pas gushtit të nxehtë nuk do të ketë fresk, përkundrazi vjeshta në Shqipëri parashikohet të jetë akoma më e nxehtë, për sa i përket zhvillimeve politike. Sepse në vjeshtë ajo që është sulmuar dhe anatemuar më së shumti nga shumë figura të politikës, do të japë frytet e para. Bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi. Në tetor pritet të ngrihet sa më shpejt Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).  10 kandidatë për Prokurorinë Speciale e kanë kaluar vetingun dhe vetëm 2 prej tyre janë ankimuar. 5 të tjerë do dalin në seanca dëgjimore në javët e para të shtatorit dhe në tetor Prokurori e Posaçme Antikorrupsion do të jetë gati.

Pyetja që ngrihet është se cilat do të jenë dosjet e para me të cilat do të nisë punën SPAK? Nisur nga deklarata e një jave më parë e kreut të KLP Gent Ibrahimi, dosja e parë me të cilën do të nisë punën SPAK, do të jetë ajo e ish prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai po hetohet nga Krimet e Rënda për 4 vepra penale dhe afatet hetimore. Sapo SPAK të ngrihet, dosja e tij do kalojë menjëherë aty.

Nisur nga dispozitat ligjore, SPAK do ketë kompetencat që kanë sot Krimet e Rënda. Pra dosjet me të cilat kjo strukturë do të merret do të jenë dosjet e hapura aktualisht nga Krimet e Rënda dhe një prej tyre është edhe dosja e kryetarit të PD-së Basha. Ai po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për lobimet në SHBA. Basha së fundmi u mor i pandehur për pastrim parash dhe për mosdeklarim të shpenzimeve në fushatë.

Në fakt këtë gjë e paralajmëroi të enjten edhe zëvendës kryeministri Erion Braçe. Në një reagim të tijin në lidhje me deklaratën e Bashës nga Divjaka, i cili tha se kriza politike zgjidhet vetëm me arrestime politikanësh, Braçe shkroi se kreu i PD është një nga personat e parë në listë që do t’i përgjigjet ligjit, jo vetëm për pasuritë e pajustifikuara, shitjen e territorit shqiptarë, vrasjet e 21 janarit, por dhe për hetimin e fundit në SHBA dhe Shqipëri.

“Po në këtë vend duhet të marrë fund pandëshkueshmëria për politikanë, kriminelë me e pa organizim, biznesmenë të paligjshëm. Por ti je i pari në radhë; jo se dua unë kështu, por se ti ke vendosur cv-në tënde të parën në atë radhë”, shprehet zv.kryeministri. Në vijim, Braçe shton se “ke vjedhur si kurrkush aq sa nuk justifikon dot asgjë nga plaçka jote e pamasë, shpenzimet e tua të luksit; ke vrarë si dikush tjetër mu në mes të bulevardit dhe për shkak moshe, ai ta lëshon vendin me qejf; ke shitur këtë vend duke qeshur e pa t’u skuqur surrati na i shite shitjen për blerje territoresh edhe pse në humbëm territor e zeza në të bardhë; Je i vetmi tani që hetohesh paralelisht në SHBA e në Shqipëri për një krim që është më i rëndë se pastrimi i parave!”.

Sipas ligjit të luftës antikorrupsion, pas dosjeve të prokurorisë, do ketë transferim dhe të çështjeve që janë te Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo do të thotë se nga zyrtarët rrezikon ish-ministri Saimir Tahiri.

Sipas statistikave të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nën hetim dhe në gjykim janë dhjetëra dosje me rreth 700 emra, kryesisht nga radhët e krimit. 30 çështje janë në gjykatë me 200 të pandehur, ndërsa rreth 400 emra janë momentalisht në hetim nga prokuroria. Të gjitha këto dosje do i marrë në dorë SPAK.



Skip to toolbar