“Të gjitha sondazhet na nxjerrin forcë fituese, e nxjerrin opozitën shumicë qeverisëse”. Kështu është shprehur kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Himarë. Por sipas Bashës sondazhi më i rëndësishëm është ai i 30 qershorit pasi 85% e shqiptarëve refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet.
“Në praninë e OSBE/ODIHR-it u faktua se ky njeri është i paaftë të organizojë zgjedhje të lira. Në këtë kuadër, përpjekja jonë opozitare jo vetëm që korri një sukses të plotë, por po ashtu bëri një matje shumë më të rëndësishme se çdo sondazh. Të gjitha sondazhet na nxjerrin forcë fituese, e nxjerrin opozitën shumicë qeverisëse, po sondazhi më i rëndësishëm ishte ai i 30 qershorit, ku 85 % e qytetarëve e refuzuan në mënyrë masive regjimin. Kjo është shumica “Rama ik”. – u shpreh Kryetari Basha në takimin me demokratët e Himarës.
Takimi i Bashës me demokratët e Himarës vjen në kuadër të turit të takimeve që kreu i PD-së ka startuar fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit ku PD vendosi të mos marrë pjesë, duke e lënë partinë pa asnjë pushtet.
Fill pas këtyre zgjedhjeve u shtuan zërat kundër Bashës në PD dhe për të shuar kritikat Basha nisi fushatën brenda partisë për të mbajtur ndezur frymën e fitores në zgjedhjet që bojkotuan. Megjithëse nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, Basha vijon të thotë në çdo takim se PD është fituese.